Nuk mund të serviret më si premtim, ajo ç’ka përbën detyrim

Nga Mimoza Çelçima*

Këtë prag zgjedhjesh, në respekt të ndjeshmërisë qytetare ndaj gjithë kësaj katrahure premtimesh elektorale, ku politika afrohet me qytetarin vetëm për ta shfrytëzuar për pushtet, duke e ushqyer me fjalë boshe e premtime utopike, ndjej detyrimin moral qytetar, të ngre zërin për ato çështje që përbëjnë boshtin kryesor të kësaj fushate dhe që në thelb, na prekin të gjithëve.

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE – Përdoret shumë kjo tezë, por finalizimi i anëtarësimit nuk diktohet e as kushtëzohet nga përbërja nominale e pushtetit legjislativ a ekzekutiv, sepse ky është një proces i zgjatur në kohë, që lidhet me përmbushjen nga vendi kandidat, të kritereve për anëtarësim. Viti 2030 nuk është afat elektoral, por afat që kërkon përmbushjen e detyrave për miratimin e reformave ligjore, politike, ekonomike, administrative etj.,  si dhe zbatimin efektiv të tyre. Ekzistenca e ligjeve përballë vegjetimit të institucioneve ligjzbatuese, jo vetëm na largon nga BE, por humbet qëllimin e shtetit të së drejtës.

Reforma në drejtësi – Trajtohet si testament i vullnetit të palëkundur të atyre që kërkojnë votën, ndërkohë që miratimi i ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë reformës, ishte shprehje e vullnetit të përbashkët të 140 deputetëve, të cilët konsensusin e votës e krijuan për shkak të bashkëpunimit të forcave politike (PD kryesohej nga Z. Basha), si dhe mbështetjes së ndërkombëtarëve. Dhe më shumë sesa sukses i vullnetit politik, miratimi i reformës ishte përgjegjësi e çdo të zgjedhuri, ndaj kërkesës së shqiptarëve për drejtësi të standardit evropian. Ndërsa sot, duke premtuar drejtësinë e “Shqipërisë madhështore”, kërkohet vota për kandidatë që i është kufizuar liria, pa informuar se arrestimi i tyre pamundëson kryerjen e  betimit  si deputet, duke i kufizuar të drejtën për t’u zgjedhur. Kjo sepse, vota qytetare synohet të përdoret si mjet, për të kthyer luftën individuale të të korruptuarve me drejtësinë, në luftë kolektive qytetare ndaj drejtësisë.

Trefishimi i të ardhurave, rritja e pagës mesatare dhe minimale – Nuk evidentohet fakti se këto rritje “bujare” të pagave, janë shoqëruar me rritje marramëndëse të çmimeve e taksave, që përkthehet në ulje të standardit të jetesës, si dhe se pensioni i pleqërisë dhe masa e përfitimit të ndihmës ekonomike, më tepër sesa garantimin e një standardi të arsyeshëm jetese, kanë rritur kufirin e varfërisë.

Dixhitalizimi i sistemit arsimor – Shpaloset si risi, në një kohë që edhe Suedia, e njohur si një ndër vendet më të zhvilluara të BE-së, ka hequr dorë nga dixhitalizimi i sistemit arsimor, duke pranuar publikisht se një eksperiment i tillë ka rezultuar i dështuar, për shkak të rënies së   aftësisë së përqendrimit tek nxënësit, si dhe rritjes së ndikimit negativ në performancën akademike e shëndetin mendor të fëmijëve.​

Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë – Veçanërisht denigrues është trajtimi që i bëhet kësaj shtrese përmes ligjit nr. 9831/2007 që kufizon radhën e familjarëve të cilët përfitojnë dëmshpërblimin që i është akorduar ish të dënuarit politik deri tek nipi/mbesa, duke ndërprerë vijimin e dëmshpërblimit në radhët pasardhëse të trashëgimisë që njeh K.Civil. Dhe si të mos  mjaftonte kjo, në vitin 2018 ndryshimet ligjore lejuan kalimin e pjesës takuese të dëmshpërblimit në buxhetin e shtetit, në rastet kur e drejta e përfitimit përfundon me mbylljen e rrethit të familjarëve që nuk jetojnë. Edhe pse dëmshpërblimi financiar nuk është shpërndarë në kohë për faj të shtetit, me vdekjen e familjarit, shteti kthehet sërish në zotërues të pjesës takuese të dëmshpërblimit, duke u vjedhur të përndjekurve të drejtën që vetë u ka njohur. Sot, të njëjtat çështje trajtohen  nga të dyja partitë e mëdha politike, me diferencën se njëra palë i shpalos si arritje, ndërsa tjetra si premtime. Të njëjtat problematika janë konstatuar dhe të njëjtat premtime janë bërë si stonaturë refrenesh fjalëboshe, në çdo prag zgjedhjesh të këtyre dekadave. Ajo ç’ka ka ndryshuar nuk është problemi, por dukja e tij. Është krijuar një sistem i zhvilluar nga jashtë, por i kalbëzuar nga brenda, ku ende gëlon “apoteoza e misrit”. Të zgjedhurit kanë harruar qëllimin për të cilin zgjidhen, ndonëse e drejta për t`u zgjedhur nuk nënkupton vetëm kandidimin, por edhe ushtrimin e funksionit publik të besuar nga populli. E në këtë pikë, është domosdoshmërisht i nevojshëm zgjimi i ndërgjegjes dhe arsyes, sepse nuk mund të serviret më si premtim, ajo ç’ka përbën detyrim./ *Kandidate për deputete për Qarkun Durrës Koalicioni Euroatlantik

Exit mobile version