Sektori i ndërtimit do të përshpejtojë vrullin në vijim për shkak se numri i lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqja e re pësuan rritje të konsiderueshme në tremujorin e parë të vitit 2021.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në 3-mujorin e parë 2021 janë miratuar gjithsej 251 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 184 leje të miratuara në tremujorin e parë 2020, duke shënuar një rritje prej 36,4 %. Bashkia e Tiranës ka lëshuar 74 leje të cilat përbënin 28.6 për qind të totalit.
Por sipërfaqja e ndërtimeve të reja u rrit me ritme më të shpejta. Sipas lejeve që i takojnë tremujorit të parë do të ndërtohen 599,446 metër katror në të gjithë vendin me një rritje 80 për qind në raport me vitin 2020, por 73.7% e kësaj sipërfaqeje do të ndërtohet në Tiranë. Në kryeqytet sipërfaqja e re është dyfishuar.
Në janar-mars 2021 është autorizuar të ndërtohen 442,152 metër katror me një rritje 155 për qind në raport me tremujorin e parë të vitit 2020.
Të dhënat mbi lejet e reja sinjalizojnë, se zhvillimet në sektor do ti afrohen rekordit të vitit 2019. Shqipëria shënoi një rekord për leje e reja dhe sipërfaqen në tremujorin e tretë të vitit 2019, me 685,455 metër katror në të gjithë vendin, nga të cilat 556,848 metër katro ishte autorizuar për ndërtim në Tiranë. Në tremujorin e parë 2021 sipërfaqja e re për ndërtim në të gjithë vendin ishte 13 për qind më ulët se rekordi i tremujorit të tretë 2019, ndërsa në Tiranë ishte 21 për qind më i ulët.
Që nga viti 2005, tremujori i parë këtij i viti ishte i dyti me sipërfaqen më të madhe të dhënë për ndërtim.
Sektori i ndërtimit dhe bizneset e lidhura nuk ishin të goditura nga pandemia Covid-19, duke u bërë frenuesi kryesor i rënies ekonomike. Ekonomia shqiptare ra me 3.31% në vitin pandemik 2020, shumë më e ulët se pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare prej mbi 7% dhe të vetë vlerësimeve të fundit të qeverisë prej -4.4%.
Në rajon, Shqipëria ka ecurinë e dytë më të mirë pas Serbisë, e cila u tkurr me -1.5% në 2020-n, ndërsa për vendet e tjera, tkurrja ka qenë rreth -5%, apo më e lartë. Përmirësimi ka ardhur nga tremujori i katërt, ku ekonomia u rrit me 2.99%. Sektorët me ecurinë më të mirë ishin ndërtimi (i nxitur dhe nga procesi i rindërtimit), që ndikoi në 1.84% të rritjes. Gjithashtu sektori i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje pozitive përgjatë gjithë tremujorëve (2.83% në të parin; 5.47% në të dytin; 9.54% në të tretin dhe 8.93% në të katërtin).
Kryeqyteti vijon të zgjerohet me ritme të shpejta sidomos në objekte të luksit me kulla shumëkatëshe kryesisht në zonën e qendrës, ndërkohë që emigracioni i lartë dhe rënia e lëvizjeve, po tkurrin ritmin e rritjes së popullsisë së Tiranës. Sipas të dhënave të INSTAT popullsia e Tiranës u rrit me 11 mijë e 6 banorë në vitin 2020, teksa një vit më parë u rrit me 11, 164 banorë, ndërsa në vitit 2018 qarku i Tiranës ishte shtuar edhe me 21 mijë e 635 banorë të rinj.
Një anketë mbi emigracionin në vitin 2019 e zhvilluar nga INSTAT gjeti se popullsia e kryeqytetit është pakësuar me 10 për qind ose më shumë se 100 mijë persona gjatë periudhës 2011-2019.
/Monitor.al