Kompania “AG.TCC” e ish-deputetit socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i deputetes socialiste, Olta Xhaçka, është vendosur nën sekuestro, për shkak të mos-shlyerjes së detyrimeve tatimore.
Në Tetor të vitit 2024, administrata tatimore ka depozituar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), “Vendosje të masës së sigurimit të detyrimit tatimor, mbi tatimpaguesin subjekti ‘AG. TCC’, pajisur me Nipt L52227046H”.
Shoqëria ka përfituar statusin e “investitorit strategjik” me firmën e kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e një resorti turistik në bregun e Jalës, në Dhërmi, në mars të vitit 2021. Por, problemet penale që shoqëruan këtë inisiativë duket se kanë sjellë pasoja edhe në aspektin financiar të kompanisë.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se, edhe shoqëria e “kunatës” së Olta Xhaçkës, Tauni Liz Gryzc-Sutton, “AG.TCC Hotel Management”, e cila fitoi nga kryeministri Edi Rama të drejtën për shfrytëzimin 30-vjeçar të bregut para resortit të Artan Gaçit, pezulloi aktivitetin e saj.
Historia problematike
Në mars të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e Edi Rama, miratoi statusin e “investitorit strategjik” për projektin e investimit “Dreamades Luxury Suites”, me subjekt zhvillues shoqërinë “AG.TCC”, në pronësi të Artan Gaçit.
Ky vendim u zbardh vonë në faqen e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve. Madje, para se të zbardhej vendimi fillestar, u publikua një tjetër vendim, I miratuar në Korrik 2021, i cili bënte një modifikim në projektin fillestar.
Sipas vendimit të miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike, kompania e Gaçit merrte përsipër që të ndërtonte një strukturë hoteliere me 5 yje, për një vlerë prej 5.5 milionë euro.
Gjithnjë sipas vendimit, kompleksi turistik do të zhvillohej në pronë private.
Pas publikimit të dokumentave zyrtare, opozita e djathtë reagoi menjëherë, duke akuzuar Edi Ramës se i kishte dhënë një status të favorizuar kompanisë së familjes së ministres së Jashtme të tij në atë kohë, njëkohësisht edhe deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Partia Demokratike në opozitë tentoi tre herë që të dërgonte rastin e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të saj, duke argumentuar se ajo ishte në konflikt me Kushtetutën. Por, në të treja rastet, Partia Socialiste e ka mbrojtur me votë politike në Parlament mandatin e Xhaçkës, madje duke refuzuar të zbatojë edhe një Opinion të Komisionit të Venecias, të kërkuar nga vetë kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Ndërkohë, krahas debatit politik, çështja e resortit të Artan Gaçit, më saktësisht historia e pronës, u bë objekt i një hetimi penal të nisur fillimisht nga Prokuroria e Vlorës.
Hetimi i nisur në vitin 2021 ishte në prag të përfundimit, kur, në vitin 2023, Prokuroria e Posaçme (SPAK) tërhoqi dosjen, pasi faktet lidheshin me një hetim që po zhvillonte kjo e fundit për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Në vijim të hetimeve, SPAK-u urdhëroi sekuestrimin e pronës mbi të cilën do të zhvillohej “investimi strategjik” i Artan Gaçit, pasi u zbuluan fakte dhe prova se ish-kryebashkiaku Goro kishte përdorur dokumenta të falsifikuara për miratimin e Aktin e Marrjes në Pronësi të Tokës (AMTP) në favor të shtetasve, të cilët më pas lidhën kontratë me Artan Gaçin.