Ju kujtohet historia e qeverisë që vendosi të ndihmojë familjet në nevojë me dekodera televizivë?
Edhe denoncimet e opozitës se kjo është më shumë një aferë sesa një ndihmë për nevojtarët?
Historia u rikthye para pak javësh kur BIRN raportoi se, këta dekodera ishin kot nuk plotësonin kushtet ligjore.
Para disa ditësh, opozita shqiptare denoncoi se në historinë e tenderave sekretë, me të cilët qeveria po vjedh në kohë pandemie, është përfshirë edhe një nga këto firma që ka shpërndarë dekoderat.
Por historia e dekoderave u rimor sot nga deputeti socialist, Ilir Beqja.
Ai tha në parlament se nisur nga ky shembull, duhet që të varfërve t’u shpërndahen celularë të zgjuar.
Historia e mëparshme të bën të besosh se qëllimi duket të jenë sërish tenderat sesa ndihma për të varfrit.
Aq më tepër kur ky propozim erdhi nga Beqja, i cili së fundmi është kthyer në personazhin më të urryer në opinionin publik pasi propozoi shkurtimin e pagave dhe pensioneve si masë për të dalë nga kriza.
Opozita thotë se ky propozim vazhdon të qarkullojë në tryezat e qeverisë.