Taulanda Jupi, kandidatja e koalicionit Euroatlantik për Tiranën, në reagimin e saj të fundit në Facebook, theksoi se Shqipëria ka vetëm një opozitë të vërtetë, atë që kërkon një ndryshim rrënjësor dhe një ndarje përfundimtare me tranzicionin.
Jupi theksoi se nuk do të bëjnë kompromise për interesat personale, por do të ndjekin rrugën e shqiptarëve të ndershëm që kërkojnë drejtësi dhe një të ardhme pa hijen e korrupsionit. “Ne nuk do të bëhemi pjesë e lojërave të vjetra politike, por do të ndërtojmë një Shqipëri të ndershme, të drejtë dhe të lirë,” shkruan ajo.
Postimi:
Koha për t’u ndarë nga tranzicioni një herë e përgjithmonë
Kur një sistem është në rënie, ai bën gjithçka për të mbijetuar—manipulon, shpik kompromise të vogla dhe përpiqet të izolojë ata që guxojnë ta sfidojnë.
Ne e shohim këtë sot, teksa lëvizje të pjesshme dhe koalicione të dobëta kërkojnë të mbulojnë të vërtetën: Shqipëria ka vetëm një opozitë të vërtetë, atë që kërkon ndryshim rrënjësor dhe një ndarje përfundimtare me tranzicionin.
Ne nuk do të bëhemi pjesë e lojërave të vjetra.
Nuk do të përkulemi para pazareve të ulëta që kanë mbajtur këtë vend peng për kaq gjatë. Ne zgjedhim rrugën e shqiptarëve të ndershëm, të cilët nuk duan më premtime boshe apo aleanca për interesa personale, ata duan një Shqipëri ku drejtësia është e barabartë për të gjithë, ku rinia sheh të ardhmen këtu dhe ku e shkuara nuk mund të shantazhojë më të ardhmen.
Kemi nevojë për një besëlidhje kombëtare kundër korrupsionit, me çdo shqiptar që beson në drejtësi dhe kërkon një të ardhme pa hijen e Ramës, Berishës dhe satelitëve të tij. Ne nuk do të bëjmë marrëveshje me kryetarë, por me qytetarët.
Nuk do të përulemi para lojërave të vjetra politike, por do të ndërtojmë një Shqipëri të ndershme, të drejtë dhe të lirë.
Shqipëria meriton më shumë!