Nuk pranoi t’i vriteshin miqtë në shtëpinë e tij, komunistët pushkatuan edhe të diplomuarin në Firence! Si ndodhi ekzekutimi më 1944 i Isuf Allamanit

BESIM NDREGJONI

80 vjetori i vrasjes makabre të intelektualit Isuf Allamani, veterineri i diplomuar në Firence, Isuf Allamani, është një nga viktimat e regjimit komunist në Shqipëri, njeri nga të 39 intelektualët e Tiranës. Isuf Allamani kishte krijuar një familje të tijën, pasi njohu në Itali bashkëshorten Fiorentine Leonella, me të cilën ka edhe një djalë, Allamanin.

Por në nëntor 1944, kur veterineri erdhi në Shqipëri pas diplomimit, u pushkatua pa gjyq nga forcat komuniste në periferi të Tiranës. Ai ishte sipërmarrësi i fermës së Xhafzotaj dhe partizanet e çetës se Pezës e njihnin. Një natë nëntori në fermë i shkojnë për vizitë Kapllan Deliallisi, ish-deputet i Parlamentit Shqiptar, Jakup Delallisi, kryetar i Komunës Shijak, Shefqet Deliallisi Akademist, ndërkohë çeta e Pezës i kishte etiketuar armiq të komunizmit Deliallistë e Shijakut. Dhe natën që shkojnë për vizite tek Isuf Allamani çeta e Pezës i arreston në godinën e tij, në prezencë të Isufit Deliallisët, i cili debaton me terroristët e Pezës dhe nuk pranon t’i priten në besë miqtë e tij Deliallistë. Por çeta terroriste e Pezës i merr me forcë Deliallisët dhe Isufin dhe i dërgon në Sharrë të Tiranës ku vendos që Deiallisët të pushkatohen, Isufi nuk pranon t’i vriten miqtë e tij që ishin atdhetarë të shquar e të arrestuar në shtëpinë e tij, një dok shekullor shqiptar që shtëpia është e mikut dhe Zotit, kjo për Isufin ishte e pa pranueshne.

Terroristët komunistë i drejtohen Isufit: Ne tek ju në Xhafzotaj kemi gjetur strehim prandaj ti largohu, por Isufi i Allamanëve të Matit fisit shekullor e i njohur për besë e burrni, i shkolluar me medalje ari në Universitetin e Firences nuk pranon që t’i vriten miqtë që ishin arrestuar në shtëpinë e tij, nuk ka kuptim jeta për mua kur më priten në besë miqtë në shtëpinë time, prandaj ju drejtohet terroristeve se dhe unë do të pushkatohem me miqtë e mi. Shqiptari brez mbas brezi kurrë nuk i ka pre në besë miqtë. Dhe futet në rreshtin e pushkatimit së bashku me miqtë e tij Deliallisët dhe plumbat e barbarëve komunistë ranë mbi trupin e tij e të Deliallisëve. Kështu u pushkatua i madhi Isuf Allamani i Matit, duke lënë djalin dy vjeç me gruan e tij të mrekullueshmen italianen e bukur Fiorentina Leonella, dhe prindërit e Leonelles i morën në Itali. Në 80-vjetorin e vrasjes së babait të tij, djali i Isuf Allamanit Dr. në Firence Itali Allaman Allamani ka dhënë një mesazh prekës, me rastin e 80-vjetorit të vrasjes të babait të tij nga komunistët barbarë, ku bën thirrje për paqe.

Faleminderit Dr. Allaman Allamani për mesazhin që u jep shqiptarëve në këtë kaos shoqëror politik ku nderohen xhelatët vrasës dhe përçmohen vlerat e intelektualeve të kombit. Ti biri i “Nderi të kombit” intelektuali i përmasave botërore ku ke dhënë një kontribut të madh në fushën e shëndetësisë në botë si kontribues me profesionin e mjekut të vlerësuar nga OKB dhe nga Italia përçon në shoqërinë shqiptare fisnikërinë dhe jo hakmarrjen, siç bëjnë pasardhësit e diktaturës nëpërmjet pushtetit politik. Shoqëria shqiptare ka nevojë për fjalën dhe fisnikërinë tuaj intelektualet shqiptar duhet të të kenë model për zhvillimin e demokracisë dhe lirisë! Ne kemi nevojë për Ju, jo ti për ne, Dr. Allaman Allamani!

Vrasja e Isuf Allamanit, dorëshkrimet që la pas i diplomuari në Firence

Masakrat e tetor-nëntorit 1944, mbi elitën e jetës së kryeqytetit, i hapën rrugën ardhjes së përgjakshme në pushtet të komunistëve dhe do të pasonte me shumë ngjarje tragjike përgjatë 45 viteve, që regjimi komunist ushtroi pushtetin përmes dhunës dhe diktatit. Mbi 39 intelektualë, ushtarakë e njerëz të fesë, rezultojnë viktima të terrorit komunist në ditët e para të vendosjes së regjimit të dhunshëm në kryeqytet. Edhe Isuf Allamani, pati fatin tragjik të të gjithë intelektualëve të spikatur të kohës: U pushkatua nga komunistët. Lindi në vitin 1907, në fshatin Kurdari të Matit. Studimet e larta veterinare i kreu në Universitetin e Firences. Pas kthimit në Shqipëri, themeloi fermën e Xhafzotajt.

Aty u arrestua, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështje politike. U dërgua në Pezë dhe prej këtu në fshatin Sharrë të Tiranës, ku dhe, më 3 nëntor të vitit 1944, u pushkatua bashkë me Kapllan Deliallisin, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar, të vëllain, Jakup Deliallisin, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit dhe Shefqet Deliallisin, të birin e atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit, sekretarit personal të Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë. Ka lënë në dorëshkrim një sërë studimesh zooveterinare. Në dhjetor të vitit 2009, Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”, bashkë me 36 intelektualë të tjerë të Tiranës të vrarë nga komunistët në periudhën 28 tetor-16 nëntor 1944, me motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës II Botërore”.

Mesazhi prekës dhe njerëzor:

I nderuar Zoti Besim Ndregjoni! Të nderuar familjarë të 39 intelektualëve të Tiranës, të vrarë padrejtësisht nga barbarët komunistë “Nëntori është një muaj i dhimbshëm. Shqipëria, në veçanti, kujton shumë njerëz të vrarë nga diktatura. Ishte dhe mbetet dhimbje e madhe. Mes njerëzve që vuajtën nga vrasja e babait tim Isufit, qe nëna ime Fiorentine Leonella. Pasi u arratis me mua shumë i vogël, foshnjë në Itali, ajo e mbajti në mendje dhe në zemër kujtimin e tim eti. Më pas u largua nga kjo botë shumë e hidhëruar për shkak se nuk e pa kurrë bashkëshortin e saj për 46 vjet. Edhe për mua nëntori është muaj dhimbjesh, i ftohtë, i errët, sepse babain tim nuk e njoha kurrë. Por kjo është jeta dhe historia. Pas tij vdiq edhe personi që e vrau; edhe qeveria, edhe regjimi që e mbështeti atë vrasës kanë vdekur. Tani çfarë ka mbetur? Ajo që mbetet është kujtimi dhe mësimi që na lanë baballarët tanë dhe babai im dhe ne pas tyre përpiqemi t’ua përcjellim brezave që vijnë pas nesh. Le të përpiqemi të sjellim paqe dhe të jetojmë në falje, falje për të gjithë ata që i janë dorëzuar arrogancës, frikës, urrejtjes në atë kohë dhe në kohën tonë”,

Dr. Allaman Allamani Firence
Itali 17 nëntor 2024

Exit mobile version