Lulzim Basha në intervistën për “Breaking” në Top News, ka komentuar vendimin e 11 qershorit si një pazar në kurriz të shqiptarëve, për interes të Ramës dhe Berishës. Basha deklaroi se kjo padrejtësi nuk do të pranohet, dhe se do të ndjekin të gjitha shkallët e drejtësisë, deri në Strasburg.
Nga ana tjetër Basha shtoi se nuk do mbetet peng i diskutimeve proceduriale, por do të vhazhdojnë me shpalosjen e alternativës, programit dhe ekipit për zgjedhjet e ardhshme, duke ofruar një model politik që ka në qendër qytetarët, në një dialog të hapur dhe vazhduar me ta.
Pjesë nga intervista:
Gazetari: Keni qenë në Vlorë, në Elbasan dhe në zona të tjera të Shqipërisë, çfarë ka qenë përgjigjja e demokratëve në diskutimet që keni pasur? Cili ka qenë objektivi i këtyre takimeve?
Basha: Sigurisht nga njëra anë mërzi dhe zemërim, me faktin që padrejtësia e mishëruar në vendimin e 11 qershorit, është po kështu edhe produkt i një pazari në kurriz të shqiptarëve për interesat e dyshes së vjetër, e tangos së vjetër midis kryeministrit dhe ish kryeministrit, por kundër interesave të shqiptarëve natyrisht dhe natyrisht dhe kundër interesave të opozitarëve dhe kundër interesave të demokratëve. Kjo është ndjesia e parë, sepse në këtë aspekt professional, juridik, politik, askush nuk mund të pranojë dhe nuk priste një vendim të tillë. Por nga ana tjetër e fortë dhe e pandalshme është dhe vendosmëria për të mos u tërhequr, për të mos pranuar këtë padrejtësi të tillë, për ta ndjekur në çdo shkallë, deri në shkallët e drejtësisë europiane këtu ku ndodhem në Strasburg. Dhe nga ana tjetër për t’iu dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë, me pak fjalë është emërues i përbashkët i takimeve që kam zhvilluar. Nga ana tjetër sigurisht është që të mos mbetemi peng i këtij diskutimi procedurial. Ne e kemi alternativën, ne e kemi programin. Unë i riktheva në vëmendje disa pika të programit. Por ne nuk do të harxhojmë asnjë sekond, ne do të jemi me njerëzit, ne do të jemi me qytetarët duke e diskutuar alternativën tonë, duke shpalosur propozimet tona, duke marrë mendimet e tyre, duke i bërë pjesë. Sepse kjo është politika drejt të cilave besojmë. Një politikë që i përfshin njerëzit, i bën pjesë të vendimmarrjes, i bën pjesë të përgjegjësisë. Dhe në fund me votë për të ardhmen e tyre dhe jo të politikës të kulisave dhe të pazareve të vjetra të tranzicionit, ku bëjnë sikur janë kundër njëri-tjetrit, por të gjitha pazaret i bëjnë me njëri-tjetrin, për interesat e veta, kundër interesave të shqiptarëve.