Nuk shtyhet Shqipëri-Izrael

Nuk do të ketë një shtyrje të Shqipëri-Izrael, takimi do të luhet sipas programit, këtë të shtunë, në orën 20:45 në “Elbasan Arena”. Konfirmimi zyrtar vjen nga Federata shqiptare e Futbollit që është detyruar të dalë me një reagim të shpejtë, menjëherë pasi në disa portale nisën të qarkullonin lajme se është duke u diskutuar shtyrja e ndeshjes për motive sigurie. Lajme këto krejtësisht të pabazuara sipas autoritetit kompetent përsa i përket organizimit të këtij takimi, Federatës shqiptare të Futbollit që veç të tjerash në komunikatën e saj rithekson edhe një herë se ndërrimi i vendit të zhvillimit të ndeshjes nga “Loro Boriçi” në “Elbasan Arena” është bërë me kërkesë të FIFA-s për arsye sigurie.
Reagimi i organizmit shqiptar të futbollit ka shërbyer për të ndërperë pështjellimin që mund të krijohej edhe në radhët e tifozëve në sajë të spekulimeve të këtij lloji në një kohë kur ka nisur procesi i shitjes së biletave në “Elbasan Arena”, ku përtej çështjeve që s’kanë të bëjnë me futbollin, kuqezinjtë e De Biasit do të kenë nevojë për mbështetjen e tifozerisë në shkallët e stadiumit në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtyre eleminatoreve përballë rivalëve të drejtpërdrejtë për vendin e tretë në grup. Natyrisht që për ndeshjen e kësaj të shtune pritet të ketë masa të larta të sigurisë, kjo e kushtëzuar nga pozicioni specifik i Izraelit në gjeopolitikën botërore, por këto masa janë një çështje e organeve të sigurisë dhe mbi të gjitha kanë të bëjnë me lëvizjet dhe procedurat që ndiqen nga delegacioni mik dhe nuk cenojnë praninë e tifozëve në “Elbasan Arena”.

Exit mobile version