“Nuk u shqetësua kur qytetarët burgoseshin për dritat e papaguara”, Basha: Edi Rama i frikësuar për fatin e tij, sulmon drejtësinë

Kryetari i Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama duke sulmuar drejtësinë.

Në një postim në facebook, Basha akuzon Ramën se nuk u shqetësua kur qytetarët burgoseshin për fatura të papaguara apo mbrojtjen e shtëpive të tyre, por tani, i frikësuar për veten, sulmon SPAK dhe mbron korrupsionin.

Sipas Bashës, Rama po përpiqet të distancohet nga Erion Veliaj për të shmangur pasojat e aferave të përbashkëta. Ai thekson se Shqipëria meriton një qeveri që lufton korrupsionin dhe mbron qytetarët, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Shqipëria meriton drejtësi!”

Postimi i plotë i Bashës:

Edi Rama nuk u shqetësua kur burgosi burra, gra e fëmijë vetëm se s’paguanin dot faturën e dritave apo mbronin shtëpitë e tyre, të cilat ua shembi në mënyrë të paligjshme për të ndërtuar kulla korrupsioni.

Sot, i trembur se Erion Veliaj do ta marrë pas vetes për çfarë kanë bërë bashkë me bankomatin e tyre, siç e konsiderojnë ata Bashkinë e Tiranës, bën si i përdëllyer për burgosjen e tij.

Sulmet ndaj SPAK dhe mbrojtja e korrupsionit janë prova kokëforta se Edi Rama nuk mund të qëndrojë më në pushtet. Shqipëria meriton një qeveri që lufton korrupsionin dhe mbron interesat e familjeve shqiptare.
Shqipëria meriton drejtësi!

IMG 20250213 WA0003

Exit mobile version