Jozefina TOPALLI
Kur një kryeministër e konsideron popullin e vet dele, natyrisht që të tjerët, nuk kanë pse të kenë respekt për të. Po ndodh ajo që nuk ka ndodhur asnjëherë, shkohet në komisionet parlamentare dhe i kërkohet që të bëhet reformë dhe kërkohet që të shkojnë te grupet parlamentare diplomatë të huaj dhe t’i tregojnë se duhet të bëjnë reformë. A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet që ambasadorë të huaj të shkojnë në komisionet parlamentare dhe të marrin fjalën? A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet apo në 125 vjet që ambasadorë të huaj të kërkojnë të marrin pjesë në grupet parlamentare? Kurrë! Kurrë!
Nga viti 1912, kur është bërë ky shtet shqiptar, me të gjitha peripecitë e tij, uljet dhe ngritjet, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pse ndodh tani? Sepse jemi këta që jemi. Sepse kryeministri i vendit tim na thotë neve barbarë, gënjeshtarë pse themi që në grupin e tij apo te mazhoranca ka kriminelë.
Çfarë ndodhi dje? A nuk tha vetë Mark Frroku që për shkak të uljes së dënimit, po, unë kam vrarë? Ne jemi barbarë, ai që futi në listë vrasësit, jo, ai ka të drejtën të na thotë ne barbarë. Po pse të mos kërkojnë ata të vijnë në komisionet dhe grupet parlamentare? Të vijnë këtu te unë, ku jam unë sot, apo ku jeni ju e t’ju kërkojnë se çfarë duhet bërë.
Problemin e kemi me veten. Shqiptarët nuk janë dele, por natyrisht e kanë një shqetësim: sa më të varfër dhe të intimiduar, aq më të vështirë e kanë për të gjetur rrugën e tyre.
Ka një shprehje tjetër: “Heshtja është mafia”. Këto janë tri fjalë të thëna shumë vite më parë dhe ishte 19 korrik 1992. Një burrë, një shërbëtor i madh i shtetit, edhe pse e dinte që ishte një i vdekur që ecte, zgjodhi për të qëndruar në vendin e tij, në Palermon e tij për të vazhduar deri në fund betejën që ai dhe kolegu i tij, Giovani Falcone, kishin nisur pa u ndalur. Ky quhej Paolo Borselino.
E them sot, e kam thënë dje, do ta them nesër dhe pasnesër, ne nuk kemi nxjerrë ndonjë Paolo Borselino, as Giovani Falcone, por ne kemi njerëz me kurajë që thyejnë heshtjen, heshtjen e mazhorancës në këtë Parlament për të përmendur me emër dhe me mbiemër ata që vrasin, ata që u çojnë gjoba biznesmenëve, ata që kërcënojnë rektorët, ata që kërcënojnë fëmijët e rektorëve, ata që ju marrin gjoba ju biznesmenëve, që s’keni kurajë për të folur, e ju rektorëve që nuk keni kurajë për të folur.
Ende ka ndonjë deputet këtu, që ka kurajën për të thënë: qeveria, ministri apo Kryeministri kërkojnë të fshehin gjurmët apo të deformojnë gjurmët e atyre që Europoli i kërkon në vende të tjera, që janë dënuar me vdekje, por që ikën me ndihmën e mbylljes së syrit të ministrit, Kryeministrit, policisë e të tjerëve.
Nuk kanë të drejtë ambasadorët që të kërkojnë të flasin grupet tona parlamentare? Po, more zotëri, kanë të drejtë, sepse ky nuk është një Parlament përfaqësues, sepse nuk mund të jetë kurrë përfaqësues një njeri që ka vrarë; nuk mund të jetë kurrë përfaqësues i shqiptarëve një njeri që merret me trafikun e qenieve njerëzore; nuk mund të jenë kurrë përfaqësues të shqiptarëve, njerëz të cilët kanë probleme të thella morale.
Është e vërtetë që ekziston dhe po jetojmë një epope imoraliteti, krize identiteti, krize përfaqësimi, por brenda partive, forcave të ndryshme politike, dhe pastaj e gjitha përfaqësohet këtu.
Prandaj nuk është koha për të heshtur, nuk është koha për të bërë konformistin dhe as nuk është koha për t’u kërrusur. Është koha për t’i thënë ca gjëra ashtu siç janë, me thjeshtësinë e tyre, përballë, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ky vend nuk mund të ecë më kështu përpara.
Ky vend nuk ka nevojë vetëm për reformën e drejtësisë, jo, do të isha e pandershme dhe e padrejtë. Unë, sigurisht, që jam për Reformën në Drejtësi, por s’jam kurrë për reformën e drejtësisë për ta lexuar e votuar, pa e parë dhe pa e studiuar. Unë mendoj se ky vend, mbi të gjitha, ka nevojë për lehtësim për biznesin, ka nevojë për punësim, ka nevojë për t’i dhënë shpresë brezit të ri për të gjetur një vend pune, për të punuar me djersë e me mund e për të ndërtuar jetën. Ky vend ka nevojë për njerëz që e duan dhe jo për njerëz që përdorin të fortët, paranë dhe mafien për të konsoliduar pushtetin e tyre, dje në 2013-ën apo nesër në 2017-ën.
Është momenti që secili prej nesh të bëjë zgjidhjen përfundimtare, në mënyrë që të mos shkojmë tek 2013-a, të mos shkojmë tek ‘44-a dhe të mos qëndrojmë tek 2016-a”.