Me një bilanc negativ mbyllet edhe muaji shtator përsa i përket të ardhurave doganore. Ish-kryeministri Berisha postoi dje denoncimin e një doganieri, sipas të dhënave të të cilit gjatë muajit shtator u vodhën 10 % të të ardhurave doganore, eksportet ranë me 16 % ndërsa 9 mijë ton nuk u zhdoganuan. “Vidhen 10% e të ardhurave doganore edhe me planin e reduktuar, krahasuar me një vit më parë janë realizuar 4% më pak të ardhura, eksportet definitive kanë rënë me 16%, Besi i partisë mesa duket po fut në treg sasira të mëdha malli kontrabandë, mungojnë rreth 9000 tonë naftë” shkruan Berisha duke iu referuar denoncimit të një doganieri. Në denoncimin e doganierit thuhet: “Gropë në të ardhurat doganore për muajin shtator. Të ardhurat në dogana për muajin shtator u realizuan në masën 90% ose 1.4 miliardë lekë më pak se plani. Krahasuar me një vit më parë janë realizuar 400 ml lekë ose 4% më pak. Rënie më të madhe ka pasur në zhdoganimin e karburanteve me një sasi 9000 tonë më pak krahasuar me një vit më parë. Besi i Tajvanit mesa duket po fut në treg sasira të konsiderueshme malli kontrabandë. Vazhdon rënia e eksporteve dhe në muajin shtator me 5% krahasuar me shtatorin 2015 ku rënien më të madhe e kanë eksportet definitive në masën 16%. Si 9-mujor të ardhurat kanë një mosrealizim 4% ose 4 miliardë lekë krahasuar me planin. Rënie ka pasur eksporti në total 5% dhe eksportet definitive 16% krahasuar me një vit më parë”.