Nuland në Maqedoni për të forcuar Prokurorinë Speciale

Victoria Nuland, Ndihmës-Sekretarja Amerikane e Shtetit për çështjet Europiane dhe Euroaziatike do të vizitojë Maqedoninë më 11 korrik, thanë për BIRN burimet politike të përfshira në bisedimet e krizës në Maqedoni.
Megjithëse mbërritja e Nuland nuk është konfirmuar zyrtarisht, burime nga partia kryesore qeverisëse VMRO DPMNE dhe nga Social Demokratët, SDSM në opozitë thanë se ata janë informuar për vizitën e saj të ardhshme.
Detyra e Nuland do të jetë të nxisë bisedimet e ngecura midis katër partive kryesore, të cilat tani po kryhen me ndërmjetësimin e ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së në Maqedoni, Aivo Orav dhe Jess Baily.
“Shpresoj që vizita e saj të rezultojë në një marrëveshje ose të paktën në progres të konsiderueshëm në zbatimin e prioriteteve të reformave përpara se vendi të caktojë një datë të re për zgjedhjet e parakohshme”, tha për BIRN nën kushte anonimiteti një burim i afërt me bisedimet.
Prioritetet e reformave përqendrohen në sigurimin e raportimit të balancuar mediatik, në pastrimin e listës zgjedhore dhe në parandalimin e ndikimit politik të votuesve.
Paralelisht me vizitën, Nuland ose shumë shpejt pas kësaj, partitë politike të Maqedonisë gjithashtu presin ardhjen e të dërguarit të posaçëm gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl, i cili pritet të ndihmojë gjithashtu bisedimet mes katër partive kryesore.
Në vizitën e tij të fundit në Maqedoni, në qershor, pasi Maqedonia shtyu zgjedhjet e 5 qershorit për shkak të reformave të papërmbushura, Haindl tha se kishte një mënyrë për të dalë nga kriza në qoftë se udhëzimet nga marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja do të ishin ndjekur, por paralajmëroi se koha po mbaronte.
Mitko Gadzovski, profesor i Shkencave Politike në Universitetin FON të Shkupit, tha se ai shpreson se vizita e ardhshme do të ndihmojë në forcimin e pozitës së Prokurorisë Speciale, SJO, e cila u formua vjeshtën e kaluar, si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE dhe është ngarkuar me hetimin e krimit të nivelit të lartë.
“Një nga qëllimet e Nuland do të jetë të forcohet SJO përmes mekanizmave të rënë dakord mes palëve politike. Një prej këtyre mekanizmave është formimi i një Departamenti të Gjykatës Speciale që do të trajtojë çështjet e SJO”, tha Gadzovski.
Që nga formimi i saj, SJO është ankuar për hasje të pengesave serioze nga institucionet e tjera, përfshirë edhe ato nga Gjykata Penale e Shkupit, që ka refuzuar shumë nga kërkesat e saj për të vënë të dyshuarit nën arrest shtëpie dhe ka vënë në pikëpyetje autoritetin e SJO për të trajtuar çështje.
Pasi SJO filloi hapjen e çështjeve kundër zyrtarëve të tanishëm dhe ish-qeveritarëve nga partia qeverisëse VMRO-DPMNE, Prokuroria u akuzua në media se punon sipas udhëzimeve të opozitës.
Kriza në Maqedoni u përshkallëzua në shkurt të vitit 2015, kur opozita publikoi përgjime të regjistruara në mënyrë të fshehtë, të cilat sipas saj ishin kryer nga qeveria e udhëhequr prej VMRO DPMNE, që survejoi në mënyrë të paligjshme 20,000 persona.

Artikulli paraprakBenghazi, nuk ka prova të reja ndaj Klinton
Artikulli tjetërTë drejtat e fëmijëve, indeksi ku Shqipëria qëndron e fundit në rajon