Nuland në takimin me Bashën: Asnjë rol ekzekutiv ndërkombëtarëve në proces

Partnerët ndërkombëtarë nuk kanë kërkuar në asnjë moment kompetenca ekzekutive në procesin e vetingut, në asnjë fazë, as të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe i pranishëm në takimin me zyrtaren e lartë amerikane, Bylykbashi zbardhi dje një pjesë të bisedës me Zv/Ndihmës Sekretaren amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland. Bylykbashi ka sqaruar qëndrimin amerikan të shprehur përmes zonjës Nuland në procesin e vetingut. “Nuland, pasi nënvizoi se ndërkombëtarët nuk mund të kenë rol ekzekutiv, i kërkoi zotit Basha që të bënte propozime për rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë në përputhje me rekomandimin 88”, thotë Bylykbashi.
Deklarata e Bylykbashit zbardh një të vërtetë me të cilën po abuzohet nga Rama gjatë 24 orëve të fundit. Ai po tjetërson deklaratat e amerikanëve dhe për çudi nuk po merr asnjë përgjigje zyrtare për këto mashtrime dhe abuzime që bëhen në emër të Shteteve të Bashkuara.
Rama thotë krejt të kundërtën e asaj që zonja Nuland ka deklaruar në takimin me kreun e opozitës. Shtetet e Bashkuara shprehen se janë kundër kompetencave ekzekutive të ndërkombëtarëve në proces, ndërsa Rama thotë se amerikanët nuk pranojnë propozimin e opozitës që vetëm kërkon zbatimin e atij qendrimi të mbajtur nga zonja Nuland dhe të cilit opozita i ka qendruar besnike që nga fillimi i debatit.
Bylykbashi ka sqaruar pozicionin e mbajtur të Bashës në atë takim, i cili është prekur edhe nga ambasadori Lu në konferencën e djeshme për shtyp. Sipas tij, zoti Basha ka thyer zotimin e mbajtur në takimin me Nuland. Po për cilin zotim flet ambasadori? Bylykbashi  e zbardh të plotë atë pjesë të bisedës. “Zoti Basha premtoi që brenda ditës së martë, PD do të ofronte zgjedhjen e saj bazuar mbi propozimin hibrid të ambasadorëve. Dhe kështu bëmë, ditën e martë në mbrëmje, PD dërgoi propozimin e saj. Kujt i duket kjo si Po ose Jo, le të kthehet në klasë të parë ose të bëjë një ekzaminim të koshiencës”, thotë Bylkbashi.
Nënkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi po ashtu ka sqaruar në lidhje me të ashtuquajturin propozim hibrid. Ai thotë se ai nuk ka qenë një propozim i zonjës Nuland, por një propozim i ambasadorëve Lu dhe Vlahutin.
“Në atë takim ‎zj. Nuland paraqiti atë që ajo e cilësoi si propozimin hibrid të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin bazuar mbi qëndrimet e palëve, pa marrë autorësi. Ajo shprehu kundërshtimin për rolin e Gjykatës Kushtetuese ‎si organi që do të bënte vetingun e kandidatëve që do të bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Basha shprehu qëndrimin e opozitës që roli i vëzhguesve ndërkombëtarë të jetë plotësisht në përputhje me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias, sepse roli i propozuar kishte kompetenca vendimmarrëse”, bëri të ditur Bylykbashi.
Nënkryetari i Reformës në Drejtësi i kujton Ramës se po luan me gënjeshtra për gjëra serioze në lidhje e qëndrimet për Reformën në Drejtësi.
“Kam ndjekur me vëmendje se si Rama ka mbjellë me tamtamet e tij mediatike apo edhe të tjerë tamtame në politikë apo analitikë, gënjeshtrën se zj. Nuland ka kërkuar vetëm një Po ose një Jo nga zoti Basha. Duke qenë se unë kam qenë aty dhe s’luaj me fjalët, ‎më vjen të qesh me këtë tentativë mjerane për të luajtur me gënjeshtra për gjëra kaq serioze. Por e meritojnë një sqarim shqiptarët që keqinformojnë këta”, thotë Bylykbashi.
Nënkryetari demokrat i Komisionit të Reformës në Drejtësi bëri të ditur se, “Basha pranoi të rishikohej roli i Gjykatës Kushtetuese ‎për të eliminuar konfliktin e interesit. Sigurisht, opozita nuk ka asnjë tagër t’i mohojë kompetencën e shqyrtimit të shkeljes së të drejtave të njeriut kësaj Gjykate”.

Ndërkombëtarët nuk kërkojnë kompetenca ekzekutive në veting

Insistimi i socialistëve për rolin e vëzhguesve të huaj në procesin e vetingut bëhet mbi një propozim të pakërkuar dhe të pambështetur nga ndërkombëtarët. Bylykbashi sqaroi të enjten në Parlament, në mënyrë të detajuar se në çfarë konsiston propozimi hibrid i ndërkombëtarëve si dhe propozimi i bërë nga PS në lidhje me pikën mbi rolin që do të kenë ndërkombëtarët në procesin e vetingut.
Bylykbashi sqaroi se janë vetë ndërkombëtarët që kanë bërë të qartë se nuk kërkojnë kompetenca ekzekutive në lidhje me procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Zonja Nuland tha se, duke dëgjuar mirë palët, PS dhe PD ambasadorët propozuan një model hibrid. Shumë e kujdesshme zonja Nuland tha se, kjo është diçka hibride midis asaj që propozon PS dhe asaj që propozon opozita. Pra, është e jona kanë bërë bashkë një model mos e shisni si propozim që vjen nga ndërkombëtarët është hibridi ynë.
Çfarë thotë BE dhe SHBA, se ju vet dilni dhe thoni se nuk e kërkojmë ne një gjë të tillë. Këta partnerë thonë nuk duam kompetenca ekzekutive në veting, në asnjë fazë, as të gjyqtarëve dhe prokurorëve që prezumohen të korruptuar dhe as të atyre që do të hetojnë këta gjyqtarë dhe prokurorë. Rekomandim maksimumi”, u shpreh Bylykbashi.
Ai solli në vëmendje propozimin e PS si dhe rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias, të cilat dukshëm binin ndesh me njëra-tjetrën.
“Çfarë propozon PS: Hapi dy. Një trupë nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit shqyrton kandidatët dhe verifikon aftësitë profesionale, integritetin moral dhe pasuritë e tyre dhe këtu vjen perla, paneli heq nga lista kandidatët e papërshtatshëm.
Mendoni që ju ky nuk është veprim ekzekutiv dhe veprim vendimmarrës.
Na keni dëgjuar gjithmonë të pranojmë paragrafin 88, i cili ka një dallim midis dëshirës për të bërë tetsh drejtësinë.
Dhe paragrafi 88 është ky: pika e fundit. Pushteti i vëzhguesve ndërkombëtarë duhet të qartësohet, ata duhet të kenë të drejta proceduriave, por asnjë kompetencë vendimmarrësve.
Siç e thotë Komisioni Venecias, pra të drejta proceduriale. Çfarë propozojmë ne? Ne propozojmë që vëzhguesit ndërkombëtarë të jenë në çdo mbledhje të përzgjedhë kandidatët, të shohin shqyrtimin e çdo kandidati, dhe nëse ky komision shkel ligjin, ata kanë të drejtë të bëjnë një raport për çdo komision”.
“Vërtetë ne kemi bërë një propozim në draftin tonë ku jepnim një kompetencë ndërkombëtare për të bërë vetingun, e bëmë kur ne thonim që kemi një sistem shumë të rëndë, kursejini Shqipërisë 21 funksionarë me paga shumë të lartë, e bën Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por t’ia bëjnë ndërkombëtarët vetingun në maj dhe më pas të funksionojnë këta për vitet që vijnë. A e dini çndodhi? Përfaqësuesit më të lartë të ekspertizës ndërkombëtare në Tiranë erdhën dhe na thanë është e pamundur që ta bëjmë ne vetingun, sepse nuk na lejon Komisioni i Venecias. Nëse na e kanë thënë ua kanë thënë dhe ju. Kur ata e thonë vet, çfarë kërkoni ju? Ju e dini shumë mirë që ndërkombëtarët nuk mbajnë dy qendrime, nuk mund të bëhej atëherë nuk bëhet as sot ndaj dhe vetingu duhet të bëhet nga shqiptarët”, bëri të ditur Bylykbashi.

Mashtrimi me vetingun, PS kërkon mos ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar

Në propozimin e saj në lidhje me procesin e vetingut, Partia Socialiste parashikon thjeshtë largimin nga vendi i punës të gjyqtarëve apo prokurorëve që kryejnë një vepër penale, pra që përfshihen në afera korruptive, duke përjashtuar mundësinë e procedimit penal ndaj tyre apo futjen e tyre në burg.
Në fjalën e tij, në seancën e kaluar plenare, Bylykbashi sqaroi për opinionin publik se çfarë parashikon në të vërtetë propozimi i socialistëve në lidhje me vetingun, për procesin që ka të bëjë me ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
“Thelbi i Reformës në Drejtësi për shqiptarët është që nga dita kur të mbarojë kjo reformë është që qytetarët të kenë mundësi t’i drejtohen Gjykatës për një çështje, prone, civile, administrative, sepse tatimet apo doganat i shkelën të drejtën. Të mbarojnë hallin e tyre shpejt. Ky është thelbi i reformës dhe jo vetingu.
Reforma e këtij komisioni gjysmak kushtetues nuk garanton asgjë, synimi i vetëm është si do të rregullojmë qeverisjen e sistemit të drejtësisë. 80 zyrtarët që do të paguhen më shumë se deputetët. Ky është halli dhe se si do ndajmë thelat e pushtetit.
Këtu ka një gënjeshtër të madhe, juve u kanë thënë se vetingu, pra procedura administrative që do të kontrollojë gjyqtarët është antikorrupsion. Gënjeshtër midis më idiotes dhe më të pafytyrës nuk mund të ketë. Sepse vetingu është procedurë administrative, korrupsioni është vepër penale. Me korrupsion shkon në burg me veting shkon në shtëpi. Procedura e vetingut që parashikon mazhoranca socialiste, gjyqtarin ose prokurorin, të cilit i gjendet një shtëpi plus apo dyshim pasurie e çon në shtëpi nuk e çon në burg. Pra, nuk është anti korrupsion, sepse anti korrupsioni është procedim penal”, sqaroi Bylykbashi.
Deputeti demokrat theksoi se, PS heq mundësinë e procedimit penal ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. “Ajo që ju propozoni është se ju gjyqtarët e prokurorët e korruptuar i çoni në shtëpi dhe jo në burg. Pra, çfarë kërkoni ju? Kërkoni që të bëni një procedurë administrative që gjyqtarët dhe prokurrët që ju do të thoni janë të korruptuar t’i çoni në shtëpi.
Po kush është pjesa tjetër e gënjeshtrës. Dilni e flisni për SPAK-un. Po ku e dinë shqiptarët se çfarë është SPAK-u. SPAK-u është Prokuroria e Posaçme Antikorrupsioni. Nëse korrupsioni është kaq i madh tek gjyqësori, politika, ekzekutivi etj., këta kanë menduar që ky SPAK-u do ketë 10 prokurorë në gjithë Shqipërinë, një grykë shishe ku ky llum i madh nuk do të kalojë kurrë.
Me 10 veta do bëni ju hatanë e antikorrupsionit? Nuk është synimi juaj anti korrupsioni, por synimi është të hiqni gjyqtarët dhe prokurorët që doni ju dhe pastaj të emëroni ata që doni ju”, bëri të ditur nënkryetari demokrat në Komisionin për Reformën në Drejtësi.

Arben Shahini

Artikulli paraprakGrusht shteti në Turqi, forcat e armatosura: Kemi kontrollin në gjithë vendin
Artikulli tjetërPërtej fjalës “gossip” dhe çmimit të tij në mjedisin shqiptar