Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është drejt përfundimit të numërimit të votave me kusht nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Sipas përditësimit të fundit në ueb-faqen e KQZ-së të mërkurën në orët e hershme, janë numëruar 78.57 për qind e votave me kusht.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 40.21 për qind, apo 2.634 vota me kusht.
E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 18.11 për qind, apo 1.186 vota, pastaj vijnë Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.54 për qind, apo 887 vota, Lista Serbe me 11.37 për qind, apo 745 vota, si dhe Aleanca për Ardhmeninë e Kosovës dhe Nisma me 6.21 për qind, apo 407 vota.
Numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara nisi këtë të martë, në ditën kur përfundoi numërimi i votave me postë, dhe pritet të përfundojë sot, sipas zyrtarëve të KQZ-së.
Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se procesi i numërimit të votave pritet të përfundojë më 5 mars.
Me rezultatet e tanishme, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Për të pasur shumicën, duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.
Si partia e parë, Vetëvendosje i ka aktualisht 48.
Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.
Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.
Procesi i numërimit të votave është aktualisht në javën e katërt.
KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.
Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re./rel