Numri i lartë i banesave bosh s’e ka ulur çmimin e apartamenteve në Tiranë. Bankat thonë se ka më pak blerës me kredi

Çmimet e apartamenteve për metër katror nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Një nga arsyet është numri i lartë i banesave bosh, që ka ndikuar në stabilitetin e tregut. Megjithatë, pritet që e ardhmja të sjellë ndryshime.

“Nga fillimi i vitit 2025 deri më sot nuk është shënuar një rritje e çmimeve në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë. Pritet që kjo të ndodhë, duke qenë se janë miratuar 180 leje ndërtimi në zonën e Tiranës”, thotë Romina Elezi, agjente imobiliare.

Sipas indeksit Fischer, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, çmimet e banesave në kryeqytet janë rritur me 40% gjatë 10 viteve të fundit. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, çmimet u rritën me 16.9% krahasuar me fundin e vitit 2023, ku Tirana shënoi një rekord me një rritje prej 25.3%.

“Zona më e shtrenjtë mbetet qendra e qytetit, e ndjekur nga zona e Bllokut dhe ajo e liqenit të Farkës. Çmimet në qendër nisin nga 2,500 euro për metër katror, duke shkuar deri në 4,500–5,000 euro. Ndërkohë, në Bllok çmimet fillojnë nga 4,000 euro për metër katror”, shprehet ajo.

Sipas Censusit 2023, numri i familjeve në Shqipëri është rritur në 760 mijë (ose 4.9%), ndërkohë që numri i banesave të pabanuara është trefishuar – nga 101 mijë në vitin 2011 në 356 mijë në vitin 2023. Aktualisht, rreth një në tre njësi banimi në vend janë bosh, krahasuar me një në pesë njësi 12 vite më parë. Ky fenomen është vënë re edhe në disa zona të Tiranës.

Zona më ekonomike mbetet ajo e Astirit, ku çmimet variojnë nga 1,000 deri në 1,500 euro për metër katror. Në Paskuqan çmimet janë rreth 850–1,200 euro për metër, ndërsa në zonën e Freskut kanë kaluar mbi 1,000 euro. Shumica e blerjeve realizohen në zonat më ekonomike. Ajo që ka ndryshuar është se ka më pak blerës me kredi, ndërkohë që ka shumë emigrantë që kanë blerë prona për investim”, tregon Elezi.

Ndërkohë, situata është e ndryshme në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, në tremujorin e katërt të vitit 2024, çmimet e banesave në BE u rritën me 4.9%, ndërsa qiratë u rritën me 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Euronews/ 

Exit mobile version