Kapiteni kuqezi nuk gaboi në asnjë detaj duke vërtetuar edhe një herë peshën e tij tek Atalanta. Por, përpara ndeshjes, ra në sy një statistikë që “CBS Sports” publikoi në lidhje me numrin e ndeshjeve të disa lojtarëve në dy vitet e fundit, duke përfshirë këtu ato paraqitje me klubin dhe ekipin kombëtar.
Në 5 lojtarët e parë, Gjimshiti renditej në vendin e tretë me 130 ndeshje gjithsej, duke lënë pas Rodrin me 129 ndeshje dhe Foden me 124. Vetëm dy futbollistë ishin përpara mbrojtësit të Kombëtares shqiptare: Julian Alvares me 131 ndeshje, (një më shumë) dhe Bruno Fernandes me 132 paraqitje, i cili ishte në vendin e parë të kësaj renditjeje interesante. Kjo tregon edhe njëherë, rendimentin e lartë që Berat Gjimshiti ka treguar në dy vitet e fundit, duke qenë një pikë stabël për bergamaskët, por edhe për ekipin përfaqësues.