Gjatë vitit 2015 numri i të papunëve në Shqipëri është 223.864 persona. Shifrat u bënë të ditura në publikimin e fundit të INSTAT, ku thuhet se shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-64 vjeç është 17,5%. Për meshkujt e kësaj grup-moshe shkalla e papunësisë është 17,5% dhe për femrat është 17,4%. Shkalla e papunësisë për meshkujt është 0,1 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një ulje të shkallës së papunësisë me 0,4 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 33,2 %, (32,3% për meshkujt dhe 34,7% për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve pësoi një rritje prej 0,7 pikë përqindje. Sipas INSTAT, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej u rrit me 1,7 pikë përqindje. Gjashtë në dhjetë persona të papunë po kërkonin punë për herë të parë.
Krahasuar me vitin 2014, numri i të papunëve që po kërkonin punë për herë të parë u rrit me 1,3%. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor në vitin 2015, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm (20,4%) ndjekur nga ata me arsim të lartë (19,1%).
Gjatë vitit 2015 pati një rritje të shkallës së papunësisë për personat me arsim fillor me 0,4 pikë përqindje dhe për personat me arsim të lartë me 1,9 pikë përqindje. Krahasuar me vitin 2014, shkalla e papunësisë për personat me arsim 8/9-vjeçar dhe të mesëm është ulur me rreth 1%.