Nga dr. Hasan Bello
Nuredin bej Vlora ka lindur në Stamboll në vitin 1889. Ai ishte pinjoll i Familjes Vlora dhe djali i ish-kryeministrit të Perandorisë Osmane, Ferit Pashë Vlorës. I shkolluar në katedrat më të mira të kohës, Nuredin beu do të angazhohet në periudhën e krijimit të shtetit shqiptar si kundër lëvizjes vorioepirote ashtu edhe kundër Kryengritjes në Shqipërinë e Mesme (1914-1915).
Në vitet e Luftës së Parë Botërore ai u vendos në Evropë dhe më 1917 u martua me amerikanen Helen Margret Kelly (1884-1952). Më pas shkoi në ShBA dhe në maj të vitit 1918 u zgjodh anëtar i Kryesisë dhe kryetar nderi i Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, kryetar i së cilës ishte patrioti Kristo Dako. Nuredin beu e përfaqësoi këtë parti në Konferencën e Paqes, duke mbrojtur interesat shqiptare kundër pretendimeve italiane dhe serbo-greke.
Në vitin 1925-1927 Nuredin beu u emërua kryetar i Bashkisë së Vlorës, duke lënë gjurmë në urbanistikën e qytetit. Por për arsye që nuk dihen ai u shkarkua nga kjo detyrë. Kjo dhe të tjera shkaqe e kthyen atë në kundërshtar të A. Zogut.
Në vitin 1935 ai mori pjesë aktive në Kryengritjen e Fierit, drejtuesit e të cilës kishin parashikuar rikthimin e republikës dhe emërimin e tij si president. Për këtë, ai mbështetej në prapaskenë nga italianët. Dështimi i saj solli arrestimin dhe dënimin e tij me vdekje. Ndërhyrja e “faktorit ndërkombëtar” e detyroi A. Zogun që ta amnistonte. Por kjo nuk ishte hera e parë që ai shihej si kandidat potencial. Në vitet e LDB edhe gjermanët e planifikonin atë si kryeministër.
Aktivizimi i tij në radhët e Ballit Kombëtar bëri që në vitin 1944 ai të largohej nga Shqipëria.
Nuredin beu vdiq më 23 tetor 1964 në qytetin Heidelberg të Gjermanisë. Emri i tij filloi të përmendej pas rënies së komunizmit. Kështu ndodhi edhe me Ferit Pashë Vlorën, i cili refuzoi të merrte postin e kryeministrit në vitin 1914, kur elita politike shqiptare deklaroi se, ai ishte i vetmi person që mund ta nxirrte vendin nga kriza.
(Në foto Nuredin bej Vlora vetëm dhe me djalin e xhaxhait, personalitetin e njohur Eqrem bej Vlora)