Nushi fitoi konçesionin 100 milionë euro por do të investojë vetëm 9.9 milionë

Për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 30 milionë euro për katër koncesionet e shëndetësisë, atë të dializës, check up-it, sterilizimit dhe kontratën e laboratorëve
Kompania që ka fituar për 10 vjet koncesionin e laboratorëve me vlerë 100 milionë euro, do të investojë në total vetëm 9.9 milionë euro. Diferenca rreth 90 milionë euro për 10 vitet e ardhshme do të jenë kostot operacionale dhe fitimi i kompanisë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se koncesioni do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. “Kompania do të investojë 7 milionë euro për aparaturat dhe infrastrukturën, si dhe 2.9 milionë euro të tjera në vitin e 7 të koncesionit”, u shpreh Manastirliu.
Koncesioni 10-vjeçar i laboratorëve iu dha një konsorciumi të përbërë nga tre kompani; shqiptarja “Labopharma”, holandezja “AB Laboratory Solutions” si dhe francezja “Exalab”. Por dy kompanitë e para, të cilat kanë 75 për qind të aksioneve të koncesionit, zotërohen nga i njëjti pronar, biznesmeni shqiptar Janis Karathano. “Ky koncesion do të përmirësojë ndjeshëm shërbimin e laboratorëve në vend”, tha Manastirliu.
Për vitin e ardhshëm, qeveria do të paguajë 30 milionë euro për katër koncesionet e shëndetësisë, atë të dializës, check up-it, sterilizimit dhe kontratën e laboratorëve. Kjo shifër është 10 milionë euro më e lartë se sa i gjithë buxheti i investimeve publike në shëndetësi.

Debatet në komision

Koncesionet e dhëna në shëndetësi duhet të kenë një monitorim më të thellë në bazë të 10 treguesve. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe i kërkoi ministres së Shëndetësisë më shumë kujdes dhe për përfituesit e koncesioneve. “Po prapë për koncesionet më ka lindur një shqetësim tani, këto muaj. Natyrisht duhet monitorim për përfituesit e këtyre kontratave. Në qoftë se brenda një kontrate koncesioni, ai që e ka marrë atë kontratë fillon e tregton aksionet e kompanisë së tij, duke e shoqëruar bashkë me kontratën, natyrisht duhet monitorim strikt me qëllim që ajo kontratë të mos humbi në cilësinë e shërbimit dhe kjo duhet të jetë detyrim”, tha Braçe.
Opozita ndërkohë ngriti si shqetësim mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të spitaleve në vend si dhe gjendjen e qendrave shëndetësore. “Qeveria e angazhuar, ka bërë konkurse, janë harxhuar para publike për këto konkurse dhe janë ftuar edhe specialistët të marrin pjesë dhe në fund janë emëruar si zakonisht. Në Shkodër është emëruar një kandidat i Partisë Socialiste”, tha deputeti Agron Shehaj. “A është ambulancë për një kryeqytet? Mund të hysh i shëndoshë dhe mund të dalësh i sëmurë. Nuk e di se çfarë bëjnë ata të shkretët nga Gramshi apo Skrapari”, tha deputeti Dashamir Shehu.

Afera me koncesionin e laboratorëve

Vilma Nushi, duket se është pas koncesionit të fundit të laboratorëve me një vlerë 100 milionë dollarë për dhjetë vjetët e ardhshëm. Në fakt është një skemë abuzive, që me kushtet e vendosura mund ta bënte kushdo. Koncesionari, në këtë rast “Labopharma” në pronësi të një shtetasi grek me emrin Jani Karathano, duket se është thjeshtë një kompani e stisur e kompanisë mëmë së Vilma Nushit. Një kompani, e cila deklaron humbje deri në 137 mijë euro në vit, pra praktikisht e falimentuar se ka për gjë të fitojë një tender me shifra të tilla astronomike. Një ndër “lehtësirat” që i bëhen firmës që fiton tenderin është se veç financimit, vendosjes vetë të çmimit të analizave, të gjithë pacientët që vizitohen apo mjekohen në institucionet shtetërore, do të jenë të detyruar t’i bëjnë analizat vetëm tek koncesionari i paracaktuar nga qeveria. Një veprim tjetër mafioz ky që rrezikon të falimentojë të gjithë sektorin privat të këtij shërbimi.

Kush është kompania

Koncesioni i laboratorëve është fituar nga kompania ‘Labopharma’. Kjo kompani sipas ekstraktit të saj në QKB është krijuar në vitin 2007 dhe pronari i saj me 100% të aksioneve është shtetasi Janis Karathano. I njëjti shtetas, Janis Karathano, është pronar me 100% të aksioneve edhe i kompanisë ‘Pegasus’ shpk. Në dokumentin e siguruar tregohet se në të kaluarën kjo kompani (Pegasus shpk) ka pasur një drejtuese të rëndësishme të quajtur, Nazife Bello, e cila është e ëma e drejtoreshës së Farmaceutikës në ministri, zonjës Shpresa Bello, raporton Hashtag. Al Kompania ‘Pegasus’ shpk, rezulton e lidhur dhe me koncesionin e rëndësishëm të ‘Check-Up’-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi. Sipas një raporti auditimi të ‘Deloitte&Touche’ për koncesionin e ‘Check-Up’-it, është zbuluar se kompania ‘Pegasus’ shpk i ka dhuruar zonjës Nushi pajisjet laboratorike për ‘Check-Up’-in, ndërsa Nushi në këmbim ka detyrimin që të blejë tek firma ‘Pegasus’ të gjithë reagentët që i duhen. Granti i deklaruar mes dy kompanive është rreth 320 mijë dollarë. Një tjetër përfitim i rëndësishëm i firmës ‘Pegasus’ është koncesioni 2-vjeçar 2016-2018, për transfuzionin e gjakut, një biznes, i cili kap shifrën e 1.3 milionë dollarëve. Kompania ‘Labopharma’ që ka fituar koncesionin e laboratorëve ka si aktivitet tregtinë e produkteve farmaceutike, pajisjeve të laboratorëve etj. Në vitin 2015, qarkullimi i saj vjetor është rreth 137 mijë euro, ndërsa humbja është rreth 160 mijë euro po për atë vit. Shoqëria ka qenë e pezulluar deri në gusht 2015 dhe më pas është bërë sërish aktive. Periudhën më të mirë e ka pasur në vitin 2009, kur deklaroi rreth 730 mijë euro xhiro dhe fitime prej 240 mijë euro, por më pas aktiviteti i saj ka ardhur në rënie.

Exit mobile version