Nxënësit e Dibrës në protestë, Bashkia kthen në zyra godinën e gjimnazit

Qindra nxënës e mësues u hodhën në protestë dje, kundër vendimit të Bashkisë për ta kthyer godinën e gjimnazit në zyra. Një prej rasteve të rralla që bulevardi i Dibrës u mbush plot nga qindra nxënës, mësues dhe qytetarë. Me qindra u bënë bashkë në protestë civile, kundër një vendimi të Bashkisë së Dibrës për të kthyer në zyra një prej godinave simbol të arsimimit në Peshkopi.
Gjimnazi i qytetit i hapur rreth 39 vjet më parë u përdor për disa vite nga Filiali i Universitetit të Durrësit, por në vitin 2013, kur projekti dështoi nuk iu rikthye gjimnazistëve. “Ne do të protestojmë deri në fund”, u shprehën nxënësit.
Bashkia ka mjaft zyra në qytet, ajo që i mungon qytetit është një gjimnaz. Në kushtet, kur godina aktuale është e llogaritur për rreth 600 gjimnazistë, por ka më shumë se dyfishin, ndërsa klasat janë të mbingarkuara, kthimi në funksionin e parë të gjimnazit shihet si zgjidhje për problemin.
Nxënës, mësues, prindër e përfaqësues të Shoqërisë Civile paralajmëruan se kjo ishte vetëm protesta e parë derisa t’u rikthehet godina e dëshiruar.
Selami Kaza, mësues: Kjo protestë nuk bëhet për politikë, por për ju!
Hysen Uka, Prof. Shoqëria Civile: Forca juaj do të bëjë atë që duhet bërë për këtë qytet, që ky simbol i arsimit në Dibër, t’ju kthehet ju.
Ndërkohë, Bashkia e Dibrës raportohet se ka nisur punën për kthimin e auditoreve dhe klasave në zyra, çka është konsideruar skandal.

 

Artikulli paraprakShqiptari kapet në Itali 500 mijë euro kokainë e heroinë
Artikulli tjetërArrestohet “i forti” i Shkodrës pasi e denoncoi Berisha