Nga Ardi Stefa
Ne themi Lenini dhe nënkuptojmë partia,
Ne themi partia dhe nënkuptojmë Lenini…
M’u kujtuan këto vargje të Majakovskit pas një debati me një mik nga opozita.
Sepse gjatë debatit ai më tha se po me shkrimet e mia po i bëja opozitë opozitës dhe se po i hiqja vota.
U mundova më kot t’i shpjegoj që opozita që ai përfaqëson nuk është e vetmja opozitë dhe se nuk duhet të pretendojnë që kanë monopolin e opozitës.
Aq më tepër që partitë dhe militarët e tyre duhet të kuptojnë që vota është e lirë, që votuesin nuk e kanë as skllav e as dele që t’u vejë pas berihajt. Aq më tepër që nuk arrijnë të kuptojnë që në demokraci qytetari është zot i votës së vet dhe jo partia zot i votës së tij.
Askush në demokraci nuk duhet t’i lerë votuesit pa zgjedhje.
Askush nuk mund t’u thotë të tjerëve: “O me mua, o kundër meje!”, “Kur nuk je me mua, je me Ramën!”.
Askush në demokraci nuk mund të thotë: “Mbyllni sytë, hundët, veshët, mendjen; harroni cilët jemi, si jemi sjellë e do sillemi dhe hajdeni tek ne ngaqë s’keni ku të shkoni!…”
Dhe askush nuk e ka monopolin e opozitës, askush s’mund t’i thotë tjetrit: “S’je ti opozita, jam unë!”, për aq kohë edhe partitë e tjera janë deklaruar në opozitë dhe bëjnë opozitë. Ky është parimi bazë dhe më minimalja e demokracisë.
Kush rri e akuzon të tjerët me vargjet e Majakovskit ka mentalitet diktatorial dhe pa asnjë dyshim është nxënës i zellshëm i Leninit.
Aq më tepër, që votat e “opozitës së opozitës”, siç u pëlqejnë t’i quajnë, nuk do t’i merrnin kurrë “revolucionarët” e revolucionit që nuk ndezi ndonjëherë ose ndezi aq sa të bëheshin disa pazare.
Sepse votat e “opozitës së opozitës”, këta që kanë “monopolin e opozitës”, nuk i marrin dot. Sepse s’ua jep kush, s’kanë me kë t’i marrin. Sepse janë katandisur keq; me disa njerëz pa reputacion ose me reputacion të dyshimtë. Sepse nuk dinë të kërkojnë votë dhe s’kanë kredo politike e publike, ngaqë vetëm 100 fjalë rrotullojnë nga të cilat 90 janë epitete me konotacion negativ dhe vetëm shajnë e anatemojnë.
Sepse nuk e kuptojnë që në demokraci dhe në epokën e informacionit të pakufishëm, idhujt e rremë bien shumë shpejt.
Sepse nuk e dinë që votën jo çdokush mund ta kërkojë dhe se vota duhet parë si respekt dhe besim i njerëzve për personat që e kërkojnë.
Dhe besimi e respekti, krijohen prej jetës së tyre, historisë, karakterit e qëndrimeve të mbajtura gjatë jetës dhe jo prej interesave të ngushta të votëkërkuesve.
Besimi dhe respekti nuk krijohet e as fitohet një herë në katër vjet në një muaj fushate.