Jo vetëm bonus qeraje që shteti nuk u ka dhënë, por sot i ka nxjerrë edhe nga hoteli ku i pati strehuar! 31 janari është dita e fundit e qendrimit në hotele të këtyre banorëve të Shëngjinit, sipas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama që brenda janarit ata të ishin sistemuar në banesa me qera. Por, fakti flet vete: Shumë familje me invalidë, të sëmurë dhe kryesisht familje rome e egjiptiane, kanë mbetur pa strehë sot në mes të dimrit.
Në pamjet e sjella nga FaxNews, me foshnja dhe fëmijë, ata enden para dyerve të bashkisë së Laçit për të marrë bonusin e qerasë ose zgjidhjen e problemit të tyre, por pa asnjë rezultat.
“Më tepër vlerësohet një qen se ne”, tha me trishtim njeri prej tyre, mbetur jashtë në të ftohtë, me çantat hedhur në trotuar.
Ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga përfaqësuesit e bashkisë Laç.
“Jemi pa punë pa gjë fare. Bonusin nuk bëhet fjalë me na e dhonë. Jam me 5 kalamaj. Shtëpia nuk është në emrin tim, unë e kam blerë po më thotë burri i huj nuk të takon”, shprehet një nga banorët.
“Pallati është shpallur i pabanueshëm, sot më kanë thënë me dalë, nuk di ku të shkoj se jam me fëmijë. Jam që në 72-shin invalide. Bashkisë nuk i ka rënë ndërmend për asgjë. Kam pas banesën time, por është prishur nga tërmeti. Nuk bie ndërmend kujt për ne. Më tepër vlerësohet një qen se ne”, shkruan dikush.
“Gruan e kam të paralizuar. Nuk më kanë dhënë asgjë. Ajo nuk luan as këmbë as duar. Me kanë thënë do të gjejmë vend, se ku do të shkoj se di”.
“Na thonë shkoni andej nga keni ardhur. Nuk kam ku të shkoj pa bonusi. Kam fëmijën invalid. Përveçse këtu do të shkojmë para kryeministrisë. Në Laç jam pa letra, nuk di ku të shkoj, as bonus nuk na kanë nxjerrë”, shprehen banorët.