Teza e provimit të Matematikës për Maturën Shtetërore u është dhënë nxënësve para provimit në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Teza e provimit ka dalë në rrjetet sociale, ndërsa maturantët po kryenin testimin. Gjimazistët e Tiranës pohuan se ishte versioni i saktë.
Ndërsa maturantët në të gjithë vendin po zhvillonin provimin e Matematikës në rrjetet sociale u publikua varianti A i tezës. Pesë faqet e testit ishin fotografuar nga vetë nxënësit dhe rreth orës 11:00 i kanë shpërndarë në rrjetet sociale. Nxënësit kanë dërguar pranë portalit JOQ.al një version të tezës që po punonin në klasë. Ishin vetë maturantët që pohuan se teza që qarkullon në rrjetet sociale është ajo mbi të cilën kanë punuar. Në përfundim të provimit, gjimnazistët e “Petro Nini Luarasit” në Tiranë pohuan se kishin kryer të njëjtat ushtrime të tezës që ishte publikuar në rrjetet sociale.
Stafi i ministres teknike të arsimit, pohoi se procesi është mbikëqyrur nga Komisioni i Maturës Shtetërore, i cili ende nuk ka një reagim zyrtar në lidhje me daljen e tezës së Matematikës. Tezat e provimit janë nxjerrë nga vetë zyrtarët e Ramës në këmbim të votës për PS-në.
Pesë ditë më parë, u nxorr teza e provimit të Gjuhë Letërisë për Maturën Shtetërore nga vetë mësuesit e PS në këmbim të votës. Nxënësit e shkollës së mesme në Fushë-Krujë denoncuan skandalin, pasi para provimit disa mësues kanë nxjerrë tezën e Gjuhë-Letërsisë, duke ua ofruar nxënësve në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Nxënësit i kanë dërguar fotot e tezës portalit “Jeta Osh Qef”, ndërsa shkruajnë se, tezën e provimit e kanë nxjerrë profesorët e Partisë Socialiste në këmbim të votave. “Tezat e maturës në Fushë-Krujë nxjerrë nga profesorët e Partisë Socialiste në këmbim të votave… Ju lutem postojeni shpejt pa mbaruar provimi… Anonim ju lutem”, shkruante qytetari. Për nxjerrjen e tezës së provimit u akuzua Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, i cili ditën e provimit ndodhej në Fushë-Krujë bashkë me punonjësen e Ministrisë, Dorina Laci.
Prokuroria nisi hetimet ndaj Plarent Ndrecës më 12 qershor
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, i ka dërguar një letër Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku kërkon informacion për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, Plarent Ndreca dhe Dorina Laci. Prokuroria ka nisur hetimet ndaj Ndrecës më datën 12 qershor, ndërsa më datë 13 qershor ministrja e Arsimit, Mirela Karabina, pezulloi nga detyra Sekretarin e Përgjithsëm, Parent Ndreca.
Gjithashtu ministrja i kallëzoi në Prokurori shtetasit Plarent Ndreca dhe Dorina Laci të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës”. Sipas saj, këta shtetas dyshohet se kanë qenë të pranishëm në ambientet e shkollës së mesme “Shote Galica”, Fushë-Krujë në kohën kur aty po zhvillohej provimi i Maturës Shtetërore, të pa pajisur me autorizim nga autoritetet përkatëse.
Prokuroria kërkon informacion nga Ministria e Arsimit, nëse Plarent Ndreca dhe Dorina Laci kanë qenë të pajisur me autorizim për të qenë të pranishëm në shkollë dhe nëse po të vihet në dispozicion autorizimi.
Plarent Ndreca u pushua nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit më datën 13 qershor një ditë, pasi Prokuroria e Krujës kishte nisur hetimet për nxjerrjen e testit të provimit të Gjuhë-Letërsisë në Gjimnazin e Fushë-Krujës. Prokuroria e Krujës bëri të ditur se kishte nisur hetimet ndaj tij dhe punonjëses së kësaj ministrie, Dorina Laci.
R.POLISI