Kanë kaluar dy ditë nga ndryshimet e qeverisë së Edi Ramës, por ende nuk ka pasur një diskutim mbi motivet e këtyre lëvizjeve.
Disa i kanë komentuar si pjesë e traditës tashmë të krijuar, ku në çdo mbyllje sezoni veror, kryeministri shpall ndonjë lëvizje në kabinet. Të tjerë theksojnë se është një sinjal i rifreskimit në Partinë Socialiste, dhe pas kësaj do të dalin në skenë njerëz të rinj.
Por shkaku i vërtetë, duket se qëndron diku tjetër. Sikur të kishim vetëm lëvizje në kabinet, ndoshta edhe mund të arrinim në një emërues të përbashkët me këto përcaktime. Ndërkaq, ndryshimi i beftë, e thuajse me ”dhunë” i kreut të Kuvendit, tregon për një gjë edhe më të madhe se lojrat e vogla të zakonshme të teatrit të kukullave të Bablokut.
Ka shumë mundësi, që të gjitha këto lëvizje të lidhen me ardhjen e afërt në Tiranë të ambasadorit të ri fuqiplotë të SHBA-së, David Kostelancik, i cili ka marrë miratimin e Senatit. Për një muaj, ambasada amerikane do të vijojë me të ngarkuar me punë, pas largimit të Davin Wizner. Departamenti i Shtetit, ka dërguar Nancy VanHorn. Një e ngarkuar me punë, edhe pse është përfaqësuesë direkt i Departamentit të Shtetit dhe përcjell politikë, nuk e ka fuqinë e një ambasadori fuqiplotë, i cili përveç letrave kredenciale që merr, e i jep një fuqi specifike, ka edhe mundësinë për të lëvizur në mënyrë më protagoniste, pasi është i emëruar i drejtëpërdrejt i Presidentit të SHBA.
Shkurt, një ambasador, është në një farë mënyre një ministër de fakto i SHBA-së në Shqipëri.
Ambasada Amerikane, ka një buxhet që ja kalon çdo ministrie në Shqipëri, si dhe një personel të rëndësishëm zyrtarësh, oficerë sigurie, oficerë inteligjence, agjentë të luftës kundër krimit të organizuar e narkotrafikut, juristë, ekonomistë, specialistë të mediave, e mbi të gjitha diplomatë të nivelit të lartë. Një institucion që mund të lëvizë, dhe të grumbullojë aq punë sa nuk e bën dot një institucion shqiptar.
Një ministri e jona, e zhytur në traditën dembele e abuzuese 30 vjeçare prodhon shumë pak punë e analiza, apo projekte, gjë që nuk shihet në institucionet e shteteve të mëdha.
Aq më shumë, një ambasadë e SHBA, e cila punën e planifikuar me objektiva e ka në gen. Ambasadori i ri, sipas të gjitha gjasave do të nisë një plan ose objektiv të caktuar nga DASH për mandatin e tij. Çdo ambasador amerikan ka pasur një objektiv të caktuar, gjë që e ka çuar deri në fund.
Për këtë objektiv, siç ka ndodhur gjithmonë ambasadorët krijojnë rrethin, lobin, afrojnë njerëzit e politikës për të lëvizur gjërat. Kësaj i është frikësuar Edi Rama, ndaj ka përmbysur të gjithë piramidën e institucioneve politike të mazhorancës. Lindita Nikolla, nuk ka asnjë sëmundje. E vetmja sëmundje e saj është se duke qenë drejtuese e lartë politike, ajo ka pasur kontakte të rëndësishme me zyrtarë të SHBA. Si në Tiranë, dhe në Uashington. Njëjtë ka pasur edhe Taulant Balla, por edhe Niko Peleshi. Të cilët ndoshta kanë folur mirë, apo nuk kanë folur fare për shefin e tyre, por gjithmonë, ata përbëjnë alternativa të rëndësishme në rast të një ndryshimi në Tiranë. Nëse SHBA mund të vendosë të përmbysë tavolinën, gjë që ka ndodhur herë pas here, ajo ka gjetur prej njerëzve që kanë pasur kontaktet e duhura në institucione të sigurisë dhe atyre të pavarura, alternativa zëvendësimi.
Nuk është rastësi nxitja e konfliktit të brendshëm mes dy personazheve që janë folur si pasardhës së Ramës: Veliajt e Ballukut. Këtë kryeministri e ka stisur me të gjithë levat që luan në drejtësi e mbi të gjitha në media e politikë. Duke lëvizur telat që askush të mos jetë i mundur të mendohet si mundësi.
Nga ana tjetër, lëviz kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Brendshëm, emra të rëndësishëm në PS, e mundësi reale për t’i zënë kolltukun në rast të një katastrofe dhe i zëvendëson me figura ende të panjohura.
Ndaj në Kongresin e PS-së, Edi Rama përdori simbolin e Elenës, duke shpallur se nuk do të lëviste nga kolltuku i kryetarit të PS-së deri sa të vdiste.
Rama, këtë shpallje nuk e ka bërë për bedelët e tij në PS, pasi askush nuk ja rrezikon karriken, por e kishte me më të fuqishmit në këtë vend, amerikanët. Duke ju bërë të ditur se nuk do të lejonte asnjë përpjekje për t’ia rrëzuar karriken nga poshtë apo nga lart.
Fshirjen me një lëvizje të të gjithë kupolës politike të PS-së nga qeveria, e kishte si sinjal ndaj SHBA, që ai bën gjithçka që të ruajë pushtetin. Gjithçka, qoftë edhe duke bërë aleat Sali Berishën dhe Ilir Metën, me të cilët miratoi paktin zgjedhor.
Por a do ta lejojë SHBA Edi Ramën që të livadhisë më? Ndoshta s’kemi parë gjë akoma!/Pamfleti