Prej vitesh, Edi Rama është përpjekur të ndërtojë imazhin e një lideri të pakorruptuar, i cili qëndron mbi palët dhe nuk ndikohet nga interesat klienteliste. Megjithatë, Lulzim Basha duket se ka gjetur ‘themrën e Akilit’ të kryeministrit dhe po e shfrytëzon me çdo mundësi: pyetjen e thjeshtë, por të fuqishme, “O Rame, ku i ke shokët?” apo ekuacionin “7×7=313”.
Rënia e ‘mitit’ të liderit të pakorruptuar
Në politikën shqiptare, korrupsioni është një temë e nxehtë, dhe çdo qeveri është përballur me akuza për përfshirje në afera të dyshimta. Rama, megjithatë, ka ditur të krijojë një distancë nga zyrtarët e korruptuar, duke u paraqitur si njeriu që nuk toleron abuzimet. Por Basha po i kthen këtë imazh kundër tij, duke e sfiduar me një realitet të qartë: shumica e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt janë sot të akuzuar, të arratisur ose të larguar nga politika për shkak të aferave korruptive.
Lista e ‘shokëve’ që nuk janë më pranë tij
Nga ish-ministra deri te figura kyçe të qeverisjes, shumë prej njerëzve që dikur ishin mburoja politike e Ramës sot nuk janë më në skenë. Disa janë dorëhequr, të tjerë janë shkarkuar nën trysninë e skandaleve, dhe disa kanë përfunduar të hetuar apo të shpallur në kërkim. Në këtë kuadër, Basha po e kthen çështjen në një pikë nevralgjike: Nëse Rama nuk është i korruptuar, pse gjithë njerëzit e tij më të afërt janë përfshirë në korrupsion?
7×7=313
Ky ekuacion i përmendur shpesh prej Bashës, më së shumti, duket sikur i tregon Edi Ramës vendin që e pret, duke qenë se të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, kanë kaluar nga burgu 313. Nuk mund të ketë plotësim të pazëllit politik, pa praninë e Edi Ramës aty si shefi politik i tyre. Përmendja vazhdimisht e një gjëje të tillë, në fakt, nxjerr zbuluar kryeministrin Rama, i cili, në mungesë të arumenteve për këtë çështje, mundohet ta mbulojë përgjigjen me gjëra banale, të cilat e ekspozojnë shumë keq në sytë e publikut, që në fund të ditës pret përgjigje.
Një strategji e re e Bashës
Lulzim Basha nuk po sulmon më vetëm qeverisjen e Ramës me argumente të përgjithshme, por po synon pikërisht të rrëzojë atë që ka qenë arma më e fortë e tij: perceptimin e integritetit personal. Ai po përpiqet të ndërtojë narrativën se Rama nuk është një reformator i ndershëm, por një lider që ka drejtuar një sistem të korruptuar dhe që tani, për ta shpëtuar veten, po distancohet nga ish-bashkëpunëtorët e tij.
Nëse kjo strategji do të japë rezultatet e dëshiruara mbetet për t’u parë, por një gjë është e qartë: goditja në ‘themrën e Akilit’ ka nisur dhe Rama mund të mos e ketë më të lehtë ta shmangë këtë betejë./ Nga Namir Lapardhaja