Kancelarja e Gjermanisë priti në Berlin në vizitën e lamtumirës presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Mysafiri e vlerësoi kancelaren: Merkel është një person i gatshëm të luftojë për vlerat e veta.
Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti në largim i SHBA-së, Barack Obama u përshëndetën me një buzëqeshje dhe një puthje në faqe përpara kancelarisë. Në bisedime – në fokus ndër të tjera roli i SHBA-së nën presidentin e ardhshëm, Donald Trump në përballimin e krizave ndërkombëtare si ajo e Sirisë. Merkel dhe Obama kanë në axhendë qëndrimin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin lidhur me krizën në Ukrainë, luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, e ardhmja e marrëveshjes së diskutueshme të tregtisë mes BE-së dhe SHBA-së, TTIP dhe politika për klimën.
Obama e vlerësoi kancelaren Angela Merkel si një shtyllë e rëndësishme në politikën ndërkombëtare. “Ajo ka kredibilitet të madh dhe është e gatshme të luftojë për vlerat e saj”, tha Obama në një intervistë për televizionin publik “ARD” dhe revistën “Spiegel”.
“Jam i gëzuar, që ajo është këtu dhe gjermanët duhet ta vlerësojnë atë. Unë sidoqoftë e vlerësoj atë si partnere”, shtoi presidenti i SHBA-së. Në mënyrë të ngjashme është shprehur Obama edhe para takimeve të mëparshme me kancelaren. Gjatë takimit në prill në Hanover, Obama tha për Merkelin, se është i gëzuar, që ajo do të vazhdojë të jetë kancelare edhe kur ai të mos jetë më president: “Bota do të përfitojë prej kësaj, prej pranisë së saj të qëndrueshme dhe konsekuente”. Para pak kohësh Obama deklaroi, se ajo është politikania, me të cilën ai gjatë viteve të kaluara “ndoshta ka bashkëpunuar më ngushtë”.
Obama paralajmëron nga përçarja e vendeve të industrializuara
Obama shprehu shqetësim për gjendjen e shoqërive të industralizuara perëndimore. “Nëse ekonomia globale nuk reagon ndaj njerëzve, që ndihen të lënë pasdore, nëse vazhdon të rritet pabarazia, ne do të përjetojmë thellimin e përçarjes në vendet e industrializuara”, tha ai në një intervistë. Mbrëmjen e së mërkurës (16.11) Obama dhe Merkel u takuan në një darkë prej tri orësh me dyer të mbyllura.
Me një kupë kafeje në Portën e Brandenburgut
Në mëngjes Obama u shfaq shkurt para Portës së Brandenburgut. Me një kupë kafeje në dorë ai kaloi para ambasadës së SHBA-së në sheshin “Pariser Platz” dhe shkoi në hotelin “Adlon”. “Përshëndetje, si jeni?”, u tha me humor të mirë presidenti i SHBA-së njerëzve aty rrotull dhe i gëzohej pushimit të shiut në kryeqytetin gjerman: “Dielli ka dalë, jo keq!”.
Për këtë vizitë vlejnë rregulla të forta sigurie. Kuartieri qeveritar në Berlin është rrethuar tërësisht dhe në tarracat e çatitë në sheshin “Pariser Platz” ishin pozicionuar snajperistë. Sipas policisë janë të mobilizuar rreth 2400 nëpunës.