Obama i bashkohet fushatës së Klinton

Presidenti Barack Obama dhe dikur ish-rivalja Hillary Klinton kanë bashkuar forcat ndërsa zonja Klinton përpiqet të marrë Shtëpinë e Bardhë dhe Presidenti aktual përpiqet të garantojë se politikat e kësaj administrate do të vazhdojnë edhe përtej mandatit të tij. Fushata e zonjës Klinton ka mbetur në hije nga skandali lidhur me përdorimin e e-mail-it privat, ndërsa drejtonte politikën e jashtme amerikane. Ajo vazhdon të ketë vlerësime negative në shumicën e anketave.
Fjalimi i zotit Obama të martën para një turme të madhe dhe të zëshme në Sharlote të Karolinës së Veriut ishte plot pasion për ish-sekretaren e tij të Shtetit.
“Ju do të keni një zgjedhje shumë të qartë mes dy vizioneve krejt të kundërta në rrugën që do të ndjekë Amerika. Në të vërtetë nuk është zgjedhje mes së majtës dhe të djathtës apo demokratëve dhe republikanëve, kjo është zgjedhje nëse do të kapemi pas së shkuarës imagjinare apo do të shkojmë drejt së ardhmes, nëse do të kemi një Amerikë që funksionon për të gjithë apo vetëm për disa njerëz”.
Zoti Obama dhe zonja Klinton mbajtën fjalime ku bashkuan politikat dhe vizionet për të ardhmen. “Mbi të gjitha, ne do të çojmë më tej vizionin që Presidenti Obama ka mbrojtur gjithmonë. Një vizion për të ardhmen ku të bëjmë gjëra të mëdha së bashku, jo si shtete republikane apo demokrate, por si Shtetet e Bashkuara”, tha kandidatja e pritshme demokrate, Hillary Klinton. Aktualisht, Presidenti gëzon një nivel të lartë mbështetjeje në anketat e opinionit dhe përkrahja e tij pritet t’i japë zonjës Klinton një shtytje për të cilën ajo ka mjaft nevojë.

Exit mobile version