Presidenti amerikan Barak Obama ka hyrë mes një debati të ndezur mbi referendumin e 23 qershorit në Britani, në të cilën votuesit do të vendosin nëse vendi i tyre do të mbetet në Bashkimin Evropian apo jo.
Në një artikull të publikuar në gazetën “The Telegraph” pak çaste, pasi Presidenti Obama mbërriti në Aeroportin “Stansted” të Londrës, të enjten vonë, ai i bëri thirrje Britanisë për të qëndruar në BE, duke thënë se ky vendim do ta bëjë Britaninë më të fortë.
“Në fund të fundit, çështja nëse Mbretëria e Bashkuar mbetet pjesë e BE-së, kjo i përket votuesve britanikë të vendosin”, shkruan zoti Obama. “Bashkimi Evropian nuk e zbut ndikimin britanik, por e zmadhon atë. Një Evropë e fortë nuk është kërcënim për udhëheqjen globale të Britanisë, por e forcon këtë udhëheqje”, shkruan zoti Obama.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë një “marrëdhënie të veçantë”, siç shprehen shpesh udhëheqësit e Uashingtonit dhe SHBA e shohin Britaninë si zërin e Uashingtonit në grupin prej 28-vendesh të BE-së.
“Shtetet e Bashkuara shohin se si zëri juaj i fuqishëm në Europë ndikon që Europa të marrë një qëndrim të fortë në botë, dhe e mban të hapur BE-në dhe të lidhur ngushtë me aleatët e saj në anën tjetër të Atlantikut. Shtetet e Bashkuara dhe bota kanë nevojë që ndikimi juaj i madh të vazhdojë, duke përfshirë edhe në Evropë”, shkruan zoti Obama.
Deklaratat e Presidentit Obama tërhoqën kritika të ashpër nga ata që mbështesin daljen e Britanisë nga BE-ja. Kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson tha se, udhëheqësit amerikanë kurrë nuk do të pranonin një organizëm si BE-ja për veten e tyre. Zoti Johnson e ka akuzuar udhëheqjen amerikane për hipokrizi për këtë çështje, duke thënë se ai beson se Uashingtoni nuk do të lejonte Kanadanë ose Meksikën, të cilat me Shtetet e Bashkuara janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, për të imponuar ligjet e tyre ose për të diktuar politikat e tyre në tokën amerikane.
Udhëheqësi i partisë së djathtë “Independence”, Nigel Farage u shpreh me një ton edhe më të ashpër, duke thënë se “presidenti amerikan duhet nxjerrë jashtë”. Të premten, Presidenti Obama ka në plan të takohet me Mbretëreshën Elizabeth, e cila festoi ditëlindjen e saj të 90 një ditë më parë.
Ai do të takohet më pas me kryeministrin David Cameron, ku përveç çështjes së BE-së, do të diskutojnë për luftën kundër grupit Shteti Islamik, përpjekjet për stabilizimin e Lindjes së Mesme, si dhe përpjekjet për t’u marrë me krizën e refugjatëve të Evropës.
Para mbërritjes në Londër, Presidenti Obama mori pjesë në një takim të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit në Arabinë Saudite.