Presidenti Barack Obama tha të dielën se Donald Trump është i “pasigurt” dhe “e pompon veten”, duke denigruar të tjerët.
Presidenti Obama i bëri komentet si reagim ndaj gjuhës vulgare të përdorur nga zoti Trump në vitin 2005, kur u regjistruar në një bisedë spontane duke u mburrur se mund t’i kapte femrat nga gjenitalet pasi ishte “i famshëm”. Një video me këto komente të zotit Trump u publikua nga gazeta “Washington Post” të premten.
Duke bërë fushatë për anëtaren e Kongresit Tammy Duckworth në shtetin Ilinoi, zoti Obama tha se fjalë të tilla tregojnë se zoti Trump do të ishte “i pakujdesshëm me qytetarinë dhe respektin” që kërkon një demokraci të gjallë.
Edhe pse sondazhet tregojnë se zoti Trump është prapa kandidates demokrate Hillary Clinton, zoti Obama tha se rëndësia e këtyre zgjedhjeve është e tillë që asgjë nuk duhet marrë si e garantuar. Ai theksoi se ka rëndësi që mbështetësit e zonjës Clinton të punojnë shumë dhe të dalin në votime më 8 nëntor.