Objektet e urryera të diktaturës, tani në vepra arti

Presidenti në Parlamentin Europian për krimet e komunizmit

Bujar NISHANI

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën e zhvilluar në Sallonin e deputetëve të Parlamentit Evropian mbi “Krimet e regjimit komunist në Shqipëri”, të organizuar nga ministri belg i Shtetit dhe Eurodeputeti Louis Michel dhe Këshillit Kombëtar shqiptaro-evropian në Bruksel.
Fillimisht Kreu i Shtetit shqiptar i shoqëruar nga delegacioni zyrtar, zhvilloi një takim me Eurodeputetin belg Louis Michel, gjatë të cilit u diskutua procesi integrues evropian i Shqipërisë, si dhe domosdoshmëria për dënimin e krimeve të komunizmit jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë vendet e ish-bllokut komunist.
Më pas, gjatë fjalës së Tij në Konferencën mbi “Krimet e regjimit komunist në Shqipëri” në të cilën ishin të pranishëm eurodeputetë të Parlamentit Evropian, zoti Ramadan Gjana, Kryetar i Këshillit Kombëtar shqiptaro-evropian, deputetë, politikanë dhe drejtues institucionesh shqiptare për integrimin e të përndjekurve politikë, bashkëatdhetarë që jetojnë në Belgjikë, etj., Kreu i Shtetit u shpreh: “Ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar, që në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të jem i pranishëm në këtë konferencë me një temë kaq të rëndësishme, delikate dhe me ndjeshmëri të lartë për të gjithë popullin shqiptar dhe të shkuarën tonë historike dhe për të ardhmen e brezave që vijnë. Ftesën për të marrë pjesë e pranova menjëherë me kënaqësi, por edhe me emocion e përgjegjshmëri, prandaj që në fillim dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen deputetit të Parlamentit Evropian zotit Louis Michel, si dhe Kryetarit të Këshillit Kombëtar shqiptaro-evropian zotit Ramadan Gjana.
Shqipëria festoi një vit më parë me krenari njëzet e pesë vjetorin e shembjes së diktaturës komuniste që përkon me njëzet e pesë vjetorin e Lëvizjes Studentore-Intelektuale Shqiptare të Dhjetorit 1990 për daljen dhe ndarjen përfundimtare të vendit tonë nga katër dekada e gjysmë të karakterizuara nga terrori i përgjakshëm, shtypja dhe izolimi i plotë nga Evropa dhe bota. Ata studentë që u ngritën në Dhjetorin e largët e të ftohtë të 1990-ës, jo më kot në demonstrata dhe mitingjet e tyre paqësore, ideuan dhe hodhën parullat: “Poshtë diktatura!”, “Liri – Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”! Në ato tri thënie përmblidhej më së miri gjithë dëshira dhe aspirata e shumicës së shqiptarëve për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga komunizmi, për të hequr qafe diktaturën e pashpirt dhe veglat e saj si dhe për të ndërtuar një të ardhme tërësisht të lirë, demokratike dhe evropiane, si ajo që gëzoni ju sot në Bruksel, ekzaktësisht si ajo që tentojmë në Tiranë e kudo tjetër.
Deri në vitin 1990, regjimi vazhdonte të kryente më gjakftohtësi dhe përpikëri prej xhelati krimet e veta makabre që e kishin zanafillën qysh në vitin 1944, madje para se ta merrnin pushtetin dhe ta shpërfytyronin krejtësisht vendin dhe shoqërinë tonë nën flamurin e një ideologjie të rreme, të importuar e të dështuar.
Krimet e panumërta, vrasjet pa gjyq, arrestimet “Në emër të popullit”, burgosjet pa shkak, internimet, dëbimet e pajustifikuara, eliminimet në kufij për këdo që përpiqej të ikte në Perëndim, varret pa emra dhe viktimat ende pa varre, ndalimi i ushtrimit të fesë dhe përndjekja çnjerëzore që iu bë klerikëve dhe besimtarëve, shtetëzimi dhe grabitja e pronës private dhe pasurisë së vënë me djersë e gjak – të gjitha këto karakterizuan atë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë, për të cilën nuk do të mjaftonte jo vetëm një konferencë, por as dhjetëra e qindra syresh për të folur, për të dëshmuar, për t’i evidentuar dhe dënuar.
Kushdo qoftë, historian, politikan, studiues, viktimë e pafajshme, mësues, hetues, gardian – do ta kishte shumë të vështirë të rrëfente gjithçka, sepse nuk do të mjaftonin dot as netët e gjata të disa dimrave për t’i treguar, folur e diskutuar mbi ato krime të padrejta.
Nuk di se nga t’ia fillosh! Nuk je në gjendje të mbarosh…! Ta filloj nga Musine Kokalari, intelektualja e ndritur e shkolluar në Perëndim që përfundoi e burgosur, e internuar dhe pastruese në Burrel për t’u varrosur pastaj me duart e lidhura me tela? Nga aspiruesja për murgeshë Marie Tuci, e cila u torturua çnjerëzisht, vetëm se besonte në vlerat njerëzore dhe në Zot? Nga Nëna e mbarë botës, Shën Tereza jonë, e cila nuk e lejua të vizonte as nënën e vet para se t’i mbyllte sytë në Shqipëri? Nga Liri Belishova, e cila edhe pse bashkëluftëtare dhe komuniste madje, përfundoi e syrgjynosur, duke parë të bijën e vetme t’i tretej nga sëmundja e pashërueshme para syve…? Sepse komunizmi ishte një kuçedër që hëngri edhe kokat e bijve e të bijave të vet. Nga fisi i Mirakajve që u vranë, u burgosën, u lindën dhe u rritën në internim? Nga familjet e intelektualëve të Tiranës që u pushkatuan pa gjyq me sebepin e së ashquajturës “bombë në ish-Legatën Sovjetike”? Nga cila krahinë ta fillosh diskutimin dhe ku ta mbarosh atë – nga veriu e deri në jug, nga lindja e deri në perëndim, gegë apo toskë, krimet u kryen sistematikisht dhe përndjekja ishte e pamëshirshme për këdo që nuk mendonte, sillej apo vepronte si përfaqësuesit e diktaturës së proletariatit.
Sidoqoftë, ne kemi nevojën dhe përgjegjësinë t’i dokumentojmë ato krime, kemi detyrimin të lexojmë pambarimisht “Rrno me rrëfye” të At Zef Pllumit, “Nën hijen e Rozafës” të Sami Repishtit dhe të pastrojmë ndërgjejgjen tonë të përbashkët shoqërore nga çdo hije e errët e së kaluarës, duke u mësuar brezave të rinj mbi të kaluarën e hidhur, në mënyrë që ajo të mos përsëritet kurrë më!
E parë në optikën e zhvillimeve historike dhe ideologjike të kohës, e ashquajtura “luftë e klasave” ishte krimi më i rëndë dhe i pajustifikueshëm në asnjë mënyrë. Kemi dëgjuar ish-drejtues të lartë të shtetit diktatorial që janë munduar të justifikuar, duke thënë “Nuk kemi bërë krime, por gabime, paçka se nuk i numërojnë dot…” Jo! E pamëshirshmja luftë e klasave nuk kurseu askënd: as pleq, as burra, as gra, as nëna, madje as fëmijë të vegjël! Ajo duhet të quhet me plot gojë ashtu siç ishte: Krim çnjerëzor në emër të luftës për pushtet!
Dhe të dënohet forcërisht dhe prerazi si janë dënuar nga njerëzimi krimet e nazizmit, të stalinizmit, të Pol Potit, gjenocidi dhe spastrimi etnik i makinerisë ushtarake të Millosheviçit, diktatura kubaneze e Fidel Kastros e deri te masakrat e ISIS-it dhe aktet terroriste, të cilat goditën edhe civilizimin këtu në Bruksel!
Gjatë këtij çerek shekulli, në vendin tonë, por edhe në mbarë Evropën Qendrore dhe Lindore, sidomos në vendet e ish-bllokut komunist, janë hartuar dhe miratuar deklarata dhe rezoluta, të cilat jo vetëm dënojnë krimet e komunizmit, por edhe synojnë dekomunistizimin, shërimin e plagëve shoqërore të shkaktuara nga diktatura, dhe sidomos ripajtimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane, pa ndasi ideologjike. Menjëherë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, të shembjes së Murit të Berlinit dhe të ringjalljes së demokracisë në ish-vendet e bllokut komunist, pjesa perëndimore e kontinentit tonë të vjetër dhe institucionet e Evropës së Bashkuar u njohën nga afër me trashëgiminë e tmerrshme të krimeve të komunizmit.
Periudha e mesviteve 1990-të u karakterizua nga një sërë rezolutash që i dënonin ato krime siç ishte Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KiE-së 1096 (27 qershor 1996) për “Masat e çmontimit të trashëgimisë së ish-sistemeve totalitare komuniste” apo Rezoluta 1481 (25 janarit 2006) mbi “Nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”; konferenca ndërkombëtare “Ndërgjegja Evropiane dhe Komunizmi” që u mbajt në Senatin çek më 2-3 qershor 2008, e cila u mbështet edhe nga ish-Presidenti Sarkozi, Ledi Margaret Thatcher, Sekretari i Shtetit, Jason Kenney i Kanadasë dhe ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, Zbiniew Brzezinski.
Deklarata e Pragës që pasoi, citonte Rezolutën 1481 e Këshillit të Evropës si dhe “rezoluta të miratuara nga një numër parlamentesh kombëtare mbi krimet e komunizmit”, të paraprirë nga një numër seancash dëgjimore publike evropiane mbi krimet e shkaktuara nga regjimet totalitare. Kjo deklaratë, nismëtar i së cilës ishte disidenti i përjetshëm dhe Kreu i Shtetit të Lituanisë, Vytautas Landsbergis, u nënshkrua dhe u mbështet nga pesëdhjetë anëtarë të Parlamentit Evropian, nga disidentë, nga Vaclav Haveli frymëzues dhe nga Presidenti gjerman Joachim Gauck, nga poetë, shkrimtarë, filozofë dhe aktivistë shoqërorë të të drejtave të njeriut nga mbarë ish-vendet e bllokut komunist të Lindjes.

Përpjekje të për rilindur të kaluarën e hidhur

Edhe në Shqipëri, paçka se nuk janë mbajtur kurrë seanca të tilla u miratua nga Kuvendi dhe hyri në fuqi më 30 tetor 2006, rezoluta “Për dënimin e Krimeve të kryera nga Regjimi komunist në Shqipëri”. Sot, pas një vonese të gjatë e të pajustifikuar, në Shqipëri është ngritur dhe konstituuar Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Komunizmit, i cili shpresojmë se do t’i përmbushë pritshmëritë e të përndjekurve dhe viktimave të regjimit, për t’ua qetësuar të paktën shpirtin si dhe për të gjetur eshtrat e të parëve.
Në Shqipëri, për fat të keq, vërehen sot e kësaj dite disa tendenca dhe përpjekje për të rilindur të kaluarën e hidhur dhe për ta justifikuar atë në një farë mënyre. Kjo gjë e dëmshme për vetë shoqërinë tonë, për historinë, por sidomos për brezat e rinj, të cilët nuk e kanë jetuar atë kohë, po bëhet nëpërmjet glorifikimit të figurave të dala boje të regjimit totalitar, nëpërmjet shndërrimit të objekteve të urryera të diktaturës në të ashtuquajtura “vepra arti” dhe vende turistike, apo edhe nëpërmjet një lustrimi fals të ngjarjeve apo fakteve historike.
Lumturimi i 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku i bërë pak ditë më parë na frymëzon jo vetëm për të marrë shembull, por edhe për të reflektuar si shoqëri. Kriminelët duhen dënuar ligjërisht më e shumta, ose më e paktë duhet të heshtin e të kërkojnë falje”.
Në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, Presidenti Nishani shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj Diasporës shqiptare në përgjithësi, dhe asaj në Belgjikë në veçanti për sakrificat dhe përkushtimin që ka treguar për të denoncuar dhe demaskuar krimet e tmerrshme të komunizmit. “Këto sakrifica që ju dhe të parët tuaj bënë këtu, shërbyen për të mbajtur gjallë jo vetëm identitetin tonë kombëtar, shpirtin e lirë dhe të panënshtruar, por u ofruan shqiptarëve nën diktaturë shpresë dhe frymëzim të pashterur. Konferenca e sotme është një rast ideal që këtë vlerësim dhe mirënjohje ta shpreh dhe ta ndajmë së bashku pikërisht nga Parlamenti Evropian, që është vatra e përfshirjes së gjithë atyre aktorëve, të cilët vlerat e vërteta të lirisë dhe demokracisë i kanë vendosur në themel të veprimtarisë së tyre individuale dhe institucionale”, përfundoi fjalën e Tij Kreu  i Shtetit shqiptar.

Artikulli paraprak6 segmente rrugore që do të ndërtohen me koncesion
Artikulli tjetërKatastrofa që pret Korçën nga TEC-i me torf