Objektiv “Tripleta”

Zinedine Zidane ka deklaruar se objektivi i Realit të Madridit për këtë vit është “Tripleta”, edhe pse trajneri francez garanton se lojtarët dhe ai vetë mendojnë ndeshje pas ndeshjeje dhe jo për titujt. “Tripleta? Fillimisht duhet të vazhdojmë të punojmë. Është synimi ynë, por tani për tani nuk duhet të mendojmë për atë, pasi aktualisht është shumë larg. Nuk ka lojtar që nuk mendon për këtë, por duhet t’i marrim ndeshjet një nga një”, ka deklaruar Zinedine Zidane.
Kjo deklaratë vjen një ditë përpara ndeshjes që Reali i Madridit do të luajë ndaj Seviljes, e vlefshme për 1/8 e Kupës së Mbretit. Takimi i parë, i luajtur në “Santiago Bernabeu”, përfundoi 3-0 për “Los Blancos”.
Për këtë ndeshje Zidane nuk ka grumbulluar yjet si Cristiano Ronaldo, Luka Modriç, Isco. Si duket Zidane dëshiron t’i ruajë për ndeshjen e La Ligas, që po ashtu do ta luajë ndaj Seviljes në fundjavë. Kurse, Realit në këtë takim do t’i mungojnë edhe Gareth Bale e Pepe për shkak të lëndimit. Real Madrid është afër kalimit në fazën tjetër të Copa del Rey pasi takimin e parë ndaj Seviljas e ka fituar me rezultat 3:0.
Ndërkohë, Real Madrid ende nuk ka hequr dorë nga sulmuesi argjentinas i Juventusit, Paulo Dybala. “Tuttosport” shkruan se, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka bërë gati një ofertë për Juventusin prej 105 milionë eurosh. Ndërsa, ofertë të majme ka gati edhe për Dybala-në, të cilit do t’i ofrohen nga 10 milionë euro në sezon, apo 4.5 milionë më shumë se sa i ka ofruar Juventus për ta rinovuar kontratën.
Transferimi i Pierre Emerick Aubameyang te Reali i Madridit duhet të presë. Pavarësisht se dënimi i FIFA me bllokim të merkatos u reduktua, sulmuesi i Borusias së Dortmundit ka gjetur një pengesë në realizimin e dëshirës së tij për të luajtur në “Santiago Bernabeu”.
Sipas asaj që publikohet te “Bild”, është vetë Zinedine Zidane ai që ka përjashtuar mundësinë e blerjes së sulmuesit nga Gaboni. Sipas teknikut francez, reparti i sulmit i Realit të Madridit është i plotësuar dhe se karakteristikat e Aubameyang nuk i përshtaten skuadrës.
Pierre Emerick Aubameyang ka me Borusian Dortmund një kontratë deri në vitin 2020. Ofertat në drejtimin e tij nuk mungojnë ku padyshim spikasin klubet kineze që janë gati t’i ofrojnë deri në 41 milionë euro në vit. Por sipas “Bild”, kalimi në superligën kineze nuk është në planet e Aubameyang, pavarësisht kësaj oferte marramendëse.
Me frenimin e Realit të Madridit, skuadrat që kanë shanset më të mëdha për të siguruar shërbimin e Aubameyang janë Paris Saint Germain dhe Manchester City.

Exit mobile version