Objektivat e Juves

Beppe Marotta zbardh objektivat e merkatos së Juventusit. Drejtori i Përgjithshëm i bardhezinjve, në një intervistë ku ka folur për shumë tema duke u ndalur pikërisht te merkatoja e dimrit, që është një çështje e nxehtë në shtëpinë e kampionëve të Italisë. Nga Axel Witsel te Rodrigo Bentancur, një prej dy mesfushorëve do t’i bashkohet Juventusit në janar edhe pse gjasat më të mëdha janë që në Torino të transferohet futbollisti i përfaqësueses belge.
“Jemi duke punuar përsa i përket pjesës së merkatos. Për Bentancur kemi një marrëveshje për ta blerë kartonin e tij për një shifër për të cilën kanë rënë dakord palët. Kjo marrëveshje skadon në prill të 2017. Sigurisht që ai do të jetë një futbollist i yni, por për sezonin e ardhshëm. Witsel është një mundësi shumë e mirë për ne, pasi kontrata e tij me Zenit St.Petersburg, skadon në vitin 2017. Kemi nisur bisedimet me klubin rus dhe jemi në pritje të një përgjigjeje”, u shpreh Marota.
Në pritje të merkatos, Beppe Marotta i bëri dhe një analizë të vitit që po lëmë pas. Ai shprehet se futbollistët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe se padiskutim nëse do të fitohej titulli kampion, që do të ishte i 6-shti radhazi për bardhezinjtë do t’i shndërronte ata në një legjendë të futbollit italian. “Siç e ka thënë dhe Presidenti i Juventusit, Andrea Angnelli titulli i gjashtë do të ishte diçka historike për këtë klub. Kur nisëm në fillim projektin tonë, të paktë ishin ata që besonin, por sot flasim në të tjera rrethana. I kemi të gjitha kapacitetet për ta arritur këtë objektiv”, tha ai.
Në fund ai foli dhe për aventurën e bardhezinjve në Champions League, duke e cilësuar si një kompeticion  ku konkurrenca është e madhe. Ky është një trofe që e dëshirojmë të gjithë, por na nevojitet shumë punë dhe ndoshta pak fat, u shpreh Marotta. Ai nuk harroi të komplimente të gjithë futbollistët e “Zonjës së Vjetër”, të cilët sipas drejtorit po e mbajnë Juventusin në nivele të larta.
Luciano Spalleti pas disfatës në “Juventus Stadium”, nuk mund veçse të reflektojë zhgënjim, duke e pranuar se bardhezinjtë i ndihmoi eksperienca dhe cinizmi. “Ishin më të zotët se ne në aspektin e emrave individualë. Duhet të kapemi pas gjërave pozitive që bëmë në këtë ndeshje, por Juventusi e tregoi se është një skuadër e fortë. Kjo fitore e ndihmon të menaxhojë me qetësi situatën në të ardhmen dhe ne duhet të jemi shumë të zotët për të rikuperuar sa më shumë pikë. Gabuam në disa momente kyç dhe ata e menaxhuan shumë mirë avantazhin. Më pëlqeu sjellja e skuadrës në fushë”, tha Spalleti.
Në vijim, Spalleti shpjegon arsyen e aktivizimit të brazilianit Gerson në pjesën e parë. “Kartoni i verdhë e kushtëzoi. E hodha në fushë sepse Juventusi është një skuadër fizike dhe në krahun tjetër Salah nuk luante që prej dy javësh. Nuk më shqetëson aspak mungesa e golit sepse jemi një prej skuadrave që shënon më shumë në kampionat. Tani nuk po e gjejmë në vazhdimësi rrugën e rrjetës, por do të mendojmë si të dalim nga kjo situatë”, përfundoi ai.

Artikulli paraprakBajerni ruan kreun, mundi Darmstadin
Artikulli tjetërCandreva i jep fitoren Interit