Vaksina anti-COVID e AstraZeneca u vu në pikëpyetje nga fillimi i vitit pas lidhjeve me mpiksjen e gjakut. Dhe vaksina ngriti përsëri shqetësime pasi katër burra britanikë zhvilluan një gjendje potencialisht të rrezikshme për jetën menjëherë pas marrjes së vaksinës.
Por rastet e këtyre problemeve janë përshkruar si shumë të rralla nga zyrtarët shëndetësorë. Efektet anësore të vaksinës anti-COVID janë zakonisht të vogla, dhe disa njerëz nuk do të përjetojnë fare simptoma.
Efektet anësore të zakonshme, të cilat tregojnë se trupi i një personi po ndërton mbrojtje ndaj infeksionit COVID-19 përfshijnë dhimbje të krahut, ethe të lehta, lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve ose nyjave.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron kundër marrjes së qetësuesve të dhimbjeve të tilla si paracetamoli para se të merrni vaksinën anti-COVID për të parandaluar efektet anësore.
OBSH shpjegon: “Kjo është për shkak se nuk dihet se si qetësuesit mund të ndikojnë në funksionimin e vaksinës. Sidoqoftë, ju mund të merrni paracetamol ose qetësues të tjerë nëse shfaqni efekte anësore të tilla si dhimbje, ethe, dhimbje koke ose dhimbje të muskujve pas vaksinimit”.
Nëse ka skuqje ose ndjeshmëri (dhimbje) që rritet aty ku keni marrë vaksinën pas 24 orësh, ose nëse efektet anësore nuk qetësohen pas disa ditësh kontaktoni me mjekun tuaj.
OBSH shton: “Nëse përjetoni një reaksion të menjëhershëm të rëndë alergjik ndaj dozës së parë të vaksinës COVID-19, nuk duhet të merrni doza shtesë të vaksinës. Është jashtëzakonisht e rrallë që reagimet e rënda shëndetësore të shkaktohen drejtpërdrejt nga vaksinat”.