OBSH jep alarmin për fruthin: Në Europë, 45 herë më shumë raste se në 2022

Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin për rritjen drastike të rasteve të fruthit në Europë, të cilat sipas saj janë 45 herë më shumë sesa në vitin 2022.

Rreth 42,200 njerëz u infektuan vitin e kaluar në kontinentin e vjetër, krahasuar me 941 që regjistroheshin dy vjet më parë sipas të dhënave të OBSH-së, krerët e se cilës besojnë se kjo situatë është pasojë e faktit që kundër kësaj sëmundjeje, u vaksinuan më pak fëmijë gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19.

Rastet janë ende në rritje, thuhet në njoftimin e sak, dhe nevojiten “masa urgjente” për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. “Ne kemi në rajon jo vetëm rritje shumëfish më të lartë të rasteve me fruth, por pothuajse 21.000 shtrime në spital dhe pesë vdekje të lidhura me fruthin. Kjo është shqetësuese”, tha OBSH-ja. Rajoni i Europës që organizata mbulon përfshin 53 shtete, duke llogaritur këtu edhe Rusinë dhe Azinë Qendrore.

Dyzet shtete kanë regjistruar raste me fruth më 2023. Numrin më të madh të rasteve e kanë Rusia dhe Kazakistani me nga 10.000 secila. Shpërthim të sëmundjes ka edhe në Europen Perëndimore dhe Britani. Niveli i vaksinimit kundër sëmundjes ka rënë gjatë pandemisë COVID-19 dhe “përpjekjet urgjente për vaksinim janë të nevojshme në mënyrë që të ndalet transmisioni dhe të parandalohet përhapja”.

Afro 1.8 milion foshnjë në rajonin e Europës që mbulon OBSH-ja nuk ishin vaksinuar mes viteve 2020 dhe 2022. Organizata thotë se vitin e kaluar, fruthi preku të gjitha grupmoshat, duke mos kursyer veç fëmijëve, as të rriturit.

Exit mobile version