OBSH kundër koncesionit 120 milionë euro të Beqajt me Nushin

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ky shërbim duhet të jetë i ndarë nga çështja e Partneritetit Publik Privat ose 3P-të
Organizata Botërore e Shëndetësisë është kundër koncesionit të kontrollit bazë ose check up, siç është prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë. Këtë shërbim, Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë me koncesion. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ky shërbim duhet të jetë i ndarë nga çështja e partneritetit publik privat ose 3P-të. Drejtorja e OBSH-së për Evropën Juglindore, e ftuar në një seancë dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë, Suzana Jakab, u shpreh se check up-i në vetvete është iniciativë pozitive, pasi mund të evidentojë sëmundje të ndryshme, por ky shërbim sipas saj, duhet të jetë i ndarë nga çështja e Partneritetit Publik Privat. “Sa i përket procesit të kontrollit bazë (check up) mendoj se ai duhet të jetë i ndarë nga çështja e Partneritetit Publik Privat. Check up në vetvete është një iniciativë shumë pozitive, sepse në bazë të tij është e mundur të evidentohen raste me hipertension, raste të diabetit etj. Mirëpo, siç e thashë, rekomandimi ynë ka qenë që nëse do të bëhet depistim, atëherë patjetër duhet të ofrohet trajtim në rastet e evidentuara. Me sa më është thënë në rastin kur ka evidentime pas depistimit, trajtimi fillohet”, tha zonja Jakab dje në Komisionin e Shëndetësisë. Ajo shtoi se për kontrollin bazë privati ofron vetëm asistencë teknike, ndërsa janë klinikat e lagjeve që e kryejnë këtë shërbim. “Me sa m’u tha, check up bëhet nga mjeku i familjes në qendrën e kujdesit parësor kurse privati është ai, i cili ofron më tepër mbështetjen logjistike dhe bën transportin e kampioneve nga qendra ku merret kampioni drejt laboratorit”, shtoi drejtoresha e OBSH për Europën Juglindore. Kjo përgjigje erdhi pas interesimit të kryetares së Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, e cila tha se ka të dhëna se ky koncesion është i parregullt. “Dje pata rastin të takohesha me një mikeshë të hershme të Shqipërisë, znj. Jakab, drejtoreshë rajonale e OBSH. Në mënyrë të qëllimshme MSH nuk bëri asnjë përpjekje për të realizuar takimin e komisionit me znj. Jakab, takim i kërkuar nga vetë ajo. Fatmirësisht, ishte insistimi i saj për t’u takuar me ne, për të dëgjuar edhe opinionet tona, ndaj edhe njoftimin për vizitën dhe kërkesën e saj për takim nuk e morën nga Tirana, por nga Taxhikistani. Ndërkohë që ministri dhe Kryeministri kishin përgatitur për të, një teatër mjeran, krejt jashtë realitetit ku çdo pacient ishte i lumtur për shërbimin, që na solli ndërmend kohën e Enverit. I kishin treguar njësitë e mamografive, por nuk e kishin informuar që deri më sot asnjë grua nuk ka marrë përgjigje për mamografinë e bërë… Mbase edhe kanë humbur jetën në pritje të tyre. E kishin çuar për vizitë në Qendrën Shëndetësore në Shkozet për të parë check up e më pas në Spital të Durrësit për të parë se si pacientët e evidentuar në check up, mjekoheshin në spital dhe ishin shumë të lumtur me shërbimin mjekësor. Të gjithë të përzgjedhur me kujdes e të vënë në rolet përkatëse për t’i treguar drejtoreshës së OBSH, një mikeje të mirë të Shqipërisë, një realitet të gënjeshtërt”, tha Vokshi ndër të tjera. Ajo denoncoi mashtrimet me të cilat qeveritarët tentuan t’i shisnin drejtoreshës së OBSH në lidhje me sektorin e shëndetësisë në vend. “Por pse nuk e çuat drejtoreshën e OBSH në Qendrën Shëndetësore në Shkallnur, zonë elektorale e ministrit. Por gjatë vizitës në Spitalin e Durrësit harruat t’i tregonit problemet e mëdha me barna e infrastrukturë të spitalit, harruat t’i tregonit që spitali prej javësh kryen vetëm ndërhyrje emergjente se nuk ka mjekime për raste normale. Apo pse nuk e çuat te onkologjiku ditën e herceptinës për pacientët për të parë ajo vetë se qindra pacientë çdo ditë, me shpresë e lutje ndaj Zotit rrezikojnë çdo ditë shëndetin e tyre për shkak të mungesës së barnave e trajtimit. Pse nuk i treguat që pajisjet e kobaltit dhe akseleratori nuk ka funksionuar disa ditë javën që shkoi? Me atë rast mund t’i kishit treguar drejtoreshës dhomën e relaksit ku mund edhe t’i vinit pak muzikë pacientëve anipse nuk i kuronit me ilaçe apo nuk i bëni trajtimet e nevojshme. Muzika do i shërojë e shpëtojë jetën… apo t’i tregonit edhe prioritetin që ju keni vënë për trajtimin psiko-social, duke pushuar të gjithë ekspertët e trajnuar me vite thjesht për arsye politike dhe ato që kanë mbetur i keni vënë në shërbim roje duke ju degraduar figurën e tyre”, tha Vokshi.

Skandali me tenderin e check up-it

Tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për ekzaminimet check up, përfshin në një megaskandal prej 120 milionë eurosh Kryeministrin Rama, ministrin Beqaj dhe pronaren e kompanisë së favorizuar Vilma Nushi, sponsorizuese e Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për fushatën e nisur në muajin shkurt të dy viteve më parë prej Ministrisë së Shëndetësisë për check up (kontroll mjekësor), për të cilin ministria kishte shpallur një tender të posaçëm ku ftonte kompanitë e specializuara në fushën e shërbimeve shëndetësore që të bëheshin pjesë e tenderit për të paraqitur ofertat e tyre. Chek up-i do të kushtojë rreth 120 milionë euro për 10 vjet. Kompania fituese rezulton të jetë e Vilma Nushit, e njohur si sponsore e Partisë Socialiste. Sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se fituese është kompania “Marketing&Distribution” që jo vetëm nuk ka lidhje me fushën e shëndetësisë, por që ka paraqitur edhe ofertën më të lartë ndaj këtij shërbimi. Ndërkohë që ministria ka skualifikuar kompani të tjera të specializuara në fushën e shëndetësisë dhe që kanë paraqitur një vlerë shumë herë më të vogël se sa ajo e kompanisë fituese, me një diferencë prej 120 milionë lekësh. Në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik për këtë koncesion “Marketing& Distribution” nuk është e vetme. Ajo është bashkë me “Trimed” shpk. Një kompani që në procedurën e tenderit nuk paraqitet si pjesëmarrëse. Duket se është shtuar më pas, gjë që bie në kundërshtim me ligjin. Por shkelje do të ishte edhe nëse “Trimed” do të kishte marrë pjesë e vetme në tender. 50% të aksioneve të saj i ka Vilma Nushi aksionerja e plotë e “Marketing & Distribution”, ndërsa ligji ndalon konkurrimin në një tender të dy kompanive me pronësi të njëjtë. Por Vilma Nushi nuk është pronare e vetëm këtyre dy kompanive, ajo është edhe bashkaksionere në kompaninë “Hermes” akuzuar për abuzim me fondet publike.

Pse Rama dhe Beqaj fshehin listën e check up

Ilir Beqaj dhe Edi Rama vazhdojnë të mbajnë të fshehur një prej aferave më të mëdha të këtyre tri viteve, koncesionin 120 milionë euro për mikeshën dhe sponsoren e tij. Vokshi bëri të ditur se, “edhe pse janë 120 milionë euro të shqiptarëve që i jepen donatores së Edi Ramës për një shërbim që nuk e justifikon këtë shumë, edhe pse që ditën e parë e deri më sot, ky proces është shoqëruar vazhdimisht me skandale, me analiza që kanë çuditur dynjanë, edhe pse Vilma i merr paratë, ndërkohë që këtë shërbim nuk e marrin as 20 për qind e grupmoshës për të cilën është planifikuar, sërish shefi i rilindjes dhe kampioni i korrupsionit Beqaj, nuk pranojnë të japin asnjë të dhënë”. Ajo bëri të ditur se që në shkurt të këtij viti, si kryetare e Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, me shkresën nr. prot. 614, dt. 18.2.2016 i ka kërkuar zyrtarisht ministrit të Shëndetësisë dhe Fondit Shëndetësor të Detyrueshëm informacion të detajuar dhe statistikor në lidhje me ecurinë e check up, si dhe listën e personave që kanë kryer check up-in, përfshirë grupmoshë dhe ndarjen sipas njësive vendore. Shkresës me nr. Prot. 1268, dt. 13.04.2016 drejtoresha e Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ju përgjigj çuditërisht që nuk e dispononin këtë informacion, duke e adresuar çështjen te Ministria e Shëndetësisë. Shkresa nr. 1783/1, dt. 9.5.2016. “Më dt. 27.05.2016 i kam kërkuar informacion të detajuar në lidhje me listën e qytetarëve që kanë kryer check up ministrit Beqaj. Por z. Beqaj me urdhër të Ramës refuzon të na vërë në dispozicion këtë informacion. Pra, qeveria refuzon t’i japë Parlamentit informacionin e nevojshëm për monitorimin e aplikimit të politikave qeveritare. Nuk e jep këtë informacion Ilir Beqaj, nuk bën transparencë Edi Rama. Pse? Shumë e thjeshtë. Kjo listë do i nxirrte ata zbuluar, do të shfaqte hapur një prej krimeve më të mëdha që kanë bërë në këto tri vite duke ndarë me miken e donatoren e tyre jo pak, plot 120 milionë euro”, tha deputetja demokrate. Vokshi tha se kjo listë do të tregonte të vërtetën e mashtrimit të madh me check up, mashtrim që Edi Rama e bëri edhe mbrëmë në shfaqjen televizive të radhës. “Aty do të kuptohej në të vërtetë se merren paratë sikur e bën kontrollin e gjithë grupmosha e shqiptarëve nga 40 deri në 65 vjeç, ndërkohë që në realitet vetëm 20 për qind e kanë marrë këtë shërbim. Kjo është një vjedhje e hapur, një hajdutëri me gjënë më të shtrenjtë, shëndetin e qytetarëve. Ndaj futën në lojë edhe komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave, i cili me shkresën nr. 637/1, dt. 7.6.2016 i vjen në ndihmë ministrit, në shkelje të ligjit e në tejkalim të përgjegjësive të tij, duke i thënë që ky informacion nuk mund të jepet pasi është sensitiv. E tërë qeveria në këmbë me urdhër të Ramës për të mbuluar vjedhjen më të madhe në shëndetësi”, tha Vokshi. Ajo denoncoi se ekipi i Ramës po bllokon çdo informacion për koncesionet në shëndetësi, duke ushtruar presion mbi institucionet e pavarura, mbi prokurori e gjykata. “Me shantazh dhe propagandë miliona euro shkojnë çdo ditë në llogaritë bankare të sponsorëve që mbajnë në këmbë korrupsionin në këtë vend. Është kjo arsyeja pse Edi Rama nuk e do Reformën në Drejtësi. Ndaj Edi Rama do ta kapë e ta kontrollojë drejtësinë. Sepse një drejtësi e pakapur do të çonte direkt në bankën e të akuzuarve ministrin për këtë korrupsion skandaloz”, tha deputetja demokrate njëkohësisht kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.

Arben Shahini

Exit mobile version