Sipas shifrave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit, 17.6% e shqiptarëve janë obezë, e përllogaritur në 348,416 të rritur. Ndonëse krahasuar me rajonin jemi “më elegantë”, shifrat tregojnë një rritje të prevalencës ndër vite. Obeziteti është cilësuar si sëmundja e shekullit dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetit është trefishuar krahasuar me të dhënat e vitit 1975, duke marrë kështu përmasa epidemike. Sipas të dhënave më të fundit nga OBSH, Renew Bariatrics ka përpiluar një hartë botërore me të dhënat për obezitetin në shtete të ndryshme. Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka prevalencë obeziteti prej 17.6%. E krahasuar me fqinjët, ka prevalencën më të ulët, ku Mali i Zi e ka 20%, Greqia 22.9%, Maqedonia 19.6% dhe Serbia 19.5%. OBSH, krahas fushatave të vazhdueshme ku bën thirrje për dimensionet që po merr kjo sëmundje, sipas tyre, e parandalueshme, tregon se në 2016 më shumë së 1.9 mld njerëz të rritur ishin mbipeshë, nga ku 650 mln obezë. Në statistikat botërore, 13% e të rriturve ishin obezë dhe 39% mbipeshë. Edhe për fëmijët, statistikat tregojnë një rritje të dimensioneve të kësaj sëmundjeje. Krahas atyre të kequshqyer dhe nënpeshë, edhe fëmijët mbipeshë dhe obezë po shndërrohen në fenomen shqetësues. Më 2016, mbi 340 mln fëmijë 5–18 vjeç ishin mbipeshë dhe obezë. Një studim i mëparshëm tregonte se pas një rënieje të shifrave të obezitetit në Shqipëri deri në vitin 2014, ai është rritur sërish ndjeshëm më 2015-2015, duke paralajmëruar shtimin e një sërë sëmundjesh të lidhura me të, ku më kryesori është diabeti. CIA World Fact Book e përllogarit prevalencën e obezitetit te të rriturit në Shqipëri në shifra më të larta. Sipas tyre arriti në 21.7% të popullsisë në vitin 2016.