Odiseja e jetës dhe e dashurisë në novelën “Haxhiu i Frakullës”

Nga Namir LAPARDHAJA

Dashuria e Haxhiut të Frakullës me Meremxhenë, të bijën e udhëtarit të njohur Serdar Ali Hanit, është motivi kryesor në novelën “Haxhiu i Frakullës” të shkrimtarit Vath Koreshi. Nëpërmjet një rrëfimi të rrjedhshëm, intesiteti të shpejtë ngjarjesh dhe veprimesh, autori ka arritur të japë kontekstin e kohës së Beratit të fillimit të shekullit XVIII, ku jeta kulturore dhe artistike është në majën e lulëzimit. Është kulmi i zhvillimit të qytetit, ku Pashallëku i Beratit është një ndër më të rëndësishmit e kohës. Shumica e ndërtimeve të mrekullueshme arkitekturore janë realizuar në këtë periudhë. Është koha ku buzë Osumit mblidhen poetë dhe recitojnë poezi. Hedhin dhe presin me njëri-tjetrin.

Flasin për artin, kulturën, poezinë dhe të bukurën. Zihen dhe hakmerren. Faktin historik shkrimtari e shndërron në materie letrare. Ngjarjet në pjesën e parë të novelës përqëndrohen në Tabakhanen kryesore të qytetit, ku poetët e njohur Mysli Çakshiri, Mulla Aliu, Sulejmani apo Haxhiu i Frakullës garojnë me vargjet e tyre. Gjithçka zhvillohet natyrshëm deri në takimin e Haxhiut të Frakullës me Meremxhenë në një mbrëmje të thirrur nga Pashai i Beratit. Është dashuri me shikim të parë. Të dy i jepen njëri-tjetrit. Haxhiu thur vargje për të bukurën dhe të dashurën e re.

Në momentin që ajo largohet, mbyllet në shtëpi, vetmohet, është gati të shkojë në vetëflijim. Vajza i lë një mesazh nëpërmjet shokut të tij të ngushtë: do të shkojë në Samarkandë me të atin dhe do ta presë pesë vite. Me pas do të jetojë në mjerim dhe me kujtimin e tij. Si shenjë i lë një unazë. Kaq mjafton që për Haxhiun e Frakullës të fillojë odiseja e jetës. Pa bekimin e prindërve, një ditë me shi dhe furtunë niset për rrugë. Në pjesën e dytë, protagonistin e gjejmë tërësisht të rrënuar rrugëve.

Pas tre vjetësh endje, arrin në Samarkandë. Në vendin ku vajza ka premtuar që e pret. Pyet dhe nuk e gjen. Nuk ka asnjë shenjë të Meremxhesë dhe të babait të saj. Një trill i hidhur e ka ngritur nga Berati dhe e ka çuar në fund të botës. Pasi sigurohet që nuk është, i duhet të kthehet në vendlindje. Fillon odisea e kthimit. Njëzet e një vjet për t’u kthyer në Stamboll, prej andej dy vjet për në Ulqin me një anije mallrash dhe më pas në Berat.

Koha ka kaluar. Prindërit i kanë vdekur. Poeti i tij i dashur, Nezimi, po ashtu. Vetëm në Tabakhane koha ka ngelur në vend. Çakshiri ka arritur moshën 100-vjeçare, kurse poetë të rinj janë shfaqur në skenë. Novela mbyllet me një mesazh: “Këtu shikoni, o djem, këtu ku ju ka rënë koka, se s’ka më të mirë se vendi ynë. Për të përpiquni, për të punoni! Këtë jua them unë, Haxhiu i Frakullës, që u gënjye nga gënjeshtra.”

Ndonëse e shkruar në vitet ’80, novela “Haxhiu i Frakullës” ka shpëtuar nga metoda e realizmit socialist. Historia e Nezim Frakullës dhe konflikti i tij me Pashain e Beratit është i njohur. Koreshi nuk përqëndrohet në atë që dihet, por mbi të njohurën ndërton trillin letrar që e çon tek e panjohura dhe tek e befasishmja. Kemi rimarrjen e motivit të udhëtimit të përbotshëm për të kërkuar lumturinë e përhershme që shkaktohet nga e bukura dhe dashuria.

Teksa lexoj me endje këtë novelë, imagjinata më hedh tej në kohë në jetën e pasur artistike dhe kulturore të Beratit të shekullit të tetëmbëdhjetë, të cilën autori e ka përshkruar me një mjeshtëri dhe një lehtësi të madhe. Ngjarjet zhvillohen natyrshëm rrugëve të qytetit dhe lexuesit i duket sikur shkrimtari e merr prej dore dhe është duke i treguar të fshehtat dhe bukuritë e rralla të tij.

vv

Artikulli paraprakZbulohet kundërshtari i Italisë në ndeshjen e radhës në Euro 2020
Artikulli tjetërShenjat e trupit që nuk duhet t’i injoroni