Trajneri i Peskarës, Masimo Odo, ka vendosur që të falë Rei Manajn dhe e ka kthyer përsëri në skuadër për ndeshjen kundër Atalantës në Kupën e Italisë. Sulmuesi ishte përjashtuar pak ditë më parë për ndeshjen ndaj Romës për shkak të një zënke me portierin në stërvitje dhe Odo kishte bërë të qartë se ai nuk duhej ta cilësonte veten një yll.
“Është 19 vjeç, nuk është Toti e as Kanavaro”, ishin fjalët e lëshuara nga Odo, duke lënë të kuptonte se sulmuesi rrezikonte vendin e tij me atë që kishte bërë. Por duket se situata është zbutur dhe futbollisti rezulton mes të grumbulluarve për duelin e mesjavës në Kupën e Italisë.
Odo ka shpjeguar se nuk ekzistonte asnjë “çështje Manaj” në klubin e tij, por ka dhënë një mesazh paralajmërimi për djaloshin shqiptar në konferencën e sotme për shtyp.
“Manaj? Cilësojeni si një lojtar të të rinjve që stërvitet me të rriturit. Ai duhet të hajë bar dhe nesër do të vijë me ne në Bergamo. Nuk ekziston asnjë çështje Manaj”, ishin fjalët e trajnerit, duke lënë të kuptohet se futbollisti nuk duhej të kishte shumë pretendime, por duhej të ulte kokën e të punonte për të fituar një vend në formacion.