Oferta e fundit ndryshon të gjithë skemën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë një ofertë të re për Lëvizjen Vetëvendosje, pas zhvillimeve të fundit ku u konfirmua dështimi i marrëveshjes për koalicion qeverisës mes të dyja subjekteve.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka dhënë opsionin e fundit për Vetëvendosjen për arritjen e marrëveshjes, para së të shkohet në seancën konstituive të Kuvendit. Ai ka thënë se janë të gatshëm që të ulen të bisedojnë prapë me VV-në, që kriza në vend të mos thellohet. Seanca e Kuvendit pritet të nis nga ora 15:00.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit të Kryesisë në konferencë për media tha se u bënë trajtime para seancës konsitutive. Ndër tjera, i ka bërë një ofertë Vetëvendosjes në krye me Albin Kurtin, ose ndryshe, thotë se LDK-ja jep dorëheqje nga marrëveshja.

“Mbesim të interesuar e të përkushtuar që vendit ‘t’i japim zgjidhje. Jemi të gatshëm të vazhdojmë për zgjidhje. LDK-ja është dakorduar që qeveria të ndahet proporcionalisht me 5 ministri për LDK-në e 5 për VV-në. Jemi pajtuar që kryeministri dhe një zv/ministër t’i takojë LVV-së. Zv. kryeministri i parë dhe kryeparlamentari t’i takojë LDK-së”, tha Mustafa.
Mustafa ka thënë se LDK-ja propozon kandidatin për president, dhe ai, do të duhej të pranohej nga LVV.
“Ai i plotëson të gjitha kriteret kushtetuese. Pas zgjedhjes së presidentit, që do të përkrahet edhe nga VV-ja, tha Mustafa, VV-ja do ta marrë një ministri më shumë, kështu i bie 6 me 4.
“Ne kemi llogaritur se në të gjitha këto variante. LVV-ja do të ketë më shumë pozita. Ajo do të ketë 7 pozita qeveritare si dhe dy nënkryetarët e Kuvendit. Ndërkaq, kur do ta bënim ne pozitën për president ne do të kishim më pak”.

Mustafa tha se nëse “VV-ja s’është gati për këtë marrëveshje, atëherë, unë deklaroj sot se LDK-ja është e gatshme të heq dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi dhe të shkojë në opozitë”. “LDK-ja do të votojë pa asnjë kusht formimin e institucioneve të reja të drejtuar nga Vetëvendosja”.

Mustafa, tha se çështja e qeverisë dhe institucioneve duhet të zgjidhet sa më parë.
“S’është arsyetim se pa e pas MPB-në LVV-ja s’luftohet korrupsioni, sepse korrupsionin ne duhet ta luftojmë bashkë”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë një ofertë të re për Lëvizjen Vetëvendosje, pas zhvillimeve të fundit ku u konfirmua dështimi i marrëveshjes për koalicion qeverisës mes të dyja subjekteve.

Kurse,deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka prezantuar ofertën që LDK ia ka bërë Lëvizjes Vetëvendosje gjatë negociatave për koalicion. Abdixhiku ka shkruar se me LVV-në ishin marrë vesh që përgjegjësitë ministrore të ndaheshin propocionalisht në mes të dy partnerëve.

Tutje, që kryeministri dhe zëvendëskryeministri t’i takojnë LVV-së, e se kryeparlamentari dhe një zëvendëskryeministër t’i takojnë LDK-së. Ai ka bërë të ditur se në ditën që do të zgjidhet presidenti në vitin 2021 atëherë LVV do t’i kalonte edhe një ministri, që të bëhej pastaj ndarja 6 plus 4.

“Nëse LVV, nuk është gati për propozimin e LDK-së, dhe e sheh LDK-në si pengesë, LDK është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi, dhe të gjitha pozitat tua lë LVV-së. Pra LDK, do të votojë pa asnjë kusht, me 28 deputetët e saj, Qeverinë e LVV-së pa LDK-në në të. U japim edhe Kryeministrin, edhe Kryeparlamentarin edhe të 10 ministritë”, ka shkruar ai.

Kurse, gjatë ditës se djeshme Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se LDK ka refuzuar ofertën e fundit të partisë së tij.
“Oferta ime e parmbrëmshme, 23 dhjetor, u refuzua dje.

Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit.

Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Nominimi i LDK-ja për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon ministrisë së Shëndetësisë.

Pakicat joserbe e marrin ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe ministrinë për Komunitetet”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që pjesë e marrëveshjes për koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje duhet të jenë të gjitha pozitat udhëheqëse të vendit, përfshirë edhe atë të presidentit të vendit.

Në seancën e sotme konstituive deputetët e rinj do të betohen, ndërsa është e paraparë edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Kryetarin e propozon partia fituese që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.

Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Po ashtu janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare.

Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar që është Vetëvendosje do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë e që është LDK në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë që është PDK në anën e majtë të kryesuesit.

Përcaktimi i ulëseve për grupet e tjera do të bëhet në vijim. Aktualisht, sipas partive në negociata, janë dy skenarë për seancën konstituive. Skenari i parë është ai i konstituimit të këtij institucioni, por që do ta komplikonte edhe më shumë arritjen e marrëveshjes për qeverinë, kurse i dyti, ai i shpalljes së pauzës deri në arritjen e marrëveshjes LVV-LDK.

Skenari i dytë ishte aplikuar më 2014, kur konstituimi i Kuvendit kishte zgjatur me muaj.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.

Monitor.al

Exit mobile version