“Oferta e Ramës dhe Berishës, jo ajo që presin njerëzit”/ Fitim Zekthi: Fushatë për ruajtjen e statusquosë

Nga Fitim Zekthi

Dy partitë e mëdha në Shqipëri, ajo e shumicës qeverisëse e kryeministrit Rama dhe Partia Demokratike e ish kryeministrit Berisha në opozitë përpos të tjerash po paraqesin para publikut disa piketa që ato i quajnë programet e tyre për katër e vitet e ardhshme nëse do të fitojnë zgjedhjet.

Paraqitja e programeve ose e atyre që quhen programe është diçka e njohur dhe e vjetër në Shqipëri (edhe në botë sigurisht). Zakonisht në fushata zgjedhore partitë përpiqen të adresojnë shqetësimin ose shqetësimet kryesore më të mëdha që ka vendi dhe më pas të gjejnë ose të ofrojnë zgjidhjen për këtë shqetësim.

Sigurisht që zgjidhjet do të jenë pjesë e një programi i cili në një farë mënyre është një punë kërkimore studiuesish të cilët nën ndriçimin e bindjeve politike dhe ideologjike që ata kanë, në qoftë se kanë të tilla (të djathta, të majta,të liberale, komuniste, konservatore apo fashiste etj,) harmonizojnë dhe shohin me kujdes milimetrik çdo gjë që nga rritja ekonomike, te taksat, nga shpenzimet për një fushë tek kursimet në një tjetër, nga mbrojtja e të sëmurëve tek të rinjtë, nga infrastruktura te feja etj.

Partitë përgatiten gjatë për një gjë të tillë. Tërë gjuha e tyre, tërë ekipi i njerëzve që do të jenë pasqyra e tyre në zgjedhje, tërë qasja dhe prania publike, tërë organizmi partiak reflekton idenë programore ose boshtin rreth të cilit do të qendërzohet oferta e partisë.

Dy partitë e mëdha në Shqipëri janë në një krizë të plotë. Ato po paraqesin programe ose po u thonë njerëzve se po paraqesin programe duke paraqitur propozime për paga dhe shpenzime, për pensione dhe ulje taksash. Ato megjithatë nuk kanë dëshmuar dhe nuk po dëshmojnë se kanë një propozim, një projekt politik të menduar seriozisht, të ideuar prej një kohe të gjatë dhe të përgatitur me kujdes i cili ka harnonizuar gjithë skutat dhe skajet e nevojave dhe shqetësimeve të vendit. Gjuha e tyre është kaotike, ekipi i njerëzve nuk mbart apo nuk dëshmon harmoninë me qasjet programore që duhet të tregonte (nëse projekti politik që ofrohet do të ishte serioz).

E thënë ndryshe Partia Socialiste e kryeministrit Rama po paraqet ofertën e anëtarësimit në BE dhe disa shifra për sektorë të caktuar që më së shumti janë propozime për paga apo për pensione. Pra sipas PS-së problemi më i madh i Shqipërisë, të cilën ata premtojnë ta zgjidhin, është anëtarësimi në BE.

Partia Demokratike gjithashtu ka paraqitur propozime për zhbërjen e reformës në drejtësi, për shkrirjen e SPAK, për paga më të larta, për pensione më të larta, për paga minimale, për ndihmë në bujqësi apo sektorë të tjerë. Pra, sipas Partisë Demokratike problemi kryesor i vendit është drejtësia e korruptuar dhe e përdorur politikisht nga kryeministri, është SPAK-u që kontrollohet sipas saj nga Rama dhe që përndjek politikisht politikanët. Gjithashtu një problem i madh është edhe varfëria domethënë ekeonomia.

Është e qartë se edhe PS-ja edhe PD-ja i janë shmangur thelbit të shqetësimit të vendit. Shqetësimi kryesor i vendit, siaps çdo sondazhi dhe vëzhgimi, është korrupsioni dhe krimi i organizuar, korrupsion dhe krim që kanë shkatërruar për pasojë edhe perspektivën dhe mundësitë ekonomike të shoqërisë. Pra, edhe ekonimia apo mjerimi janë pasojë e korrupsionit dhe krimit dhe jo pasojë e ndonjë politike të gabuar fiskale apo monetare. Shqetësimi kryesor është ndëshkimi i korrupsionit dhe i krimit është gjetja e një mënyre që pandëshkueshmëria dhe korrupsioni i lartë i tërë sitemit politik të marrë fund.

Çfarëdo programi që të paraqesë Rama, sado i mirë menduar dhe studiuar të jetë, ai nuk niset nga premisa e shqetësimit kryesor të njerëzve dhe të vendit. Rama nuk mund ta kthejë në çështje të angazhimeve të tij ndëshkimin e politikanëve të korruptuar, luftën ndaj krimit të organizuar dhe të përkrahjes për SPAK. Nuk mund ta kthejë për shkak të problemeve të rënda të drejtuesve të qeverisë me drejtësinë dhe të varësisë që ka qeveria e tij nga lidhjet me korrupsionin dhe krimin. Kësisoj ai sajon një çështje tjetër. Të shohim sa do ecë.

Partia Demokratike po ashtu nuk mund të ketë çështje luftën ndaj politikanëve të korruptuar dhe krimit, përkrahjen për SPAK sepse ajo vetë ka gjithashtu probleme me anëtarë të qeverisjeve të saj, të cilët janë në hetim apo në gjyq për korrupsion. Edhe PD-ja e shmang këtë çështje. Edhe propozimi i PD-së për pagat dhe pensionet dhe për shkrirjen e SPAK është shmangie nga çështja bazë, ka për premisë diçka tjetër nga halli i njerëzve.

Duke qenë se dy partitë e dinë se cili është shqetësimi i vendit dhe shqetësimi i njerëzve ato nuk mund të kenë një mesazh kombëtar të unifikuar, të harmonizuar, nga i cili lind dhe buron një program. Nuk mund të kenë një program që ka për premisë luftën nga korrupsioni të politikanëve dhe të lidhjes së politikës me krimin dhe përkrahjen për SPAK.

Duke qenë se dy partitë e mëdha nuk arrijnë të përkufizojnë siç duhet gjendjen dhe zgjidhjet atëherë ato do të kenë inkoherenca dhe do të zhvillojnë një fushatë me fjalë dhe gjeste që më së shumti kërkojnë të fshehin atë që ato duan në të vërtetë dhe atë që janë në të vërtetë. Kështu Rama një herë thotë që drejtësia kullon gjak nga sytë, një herë sulmon gjyqtarin e GJKKO-së që vendosi për Veliajn, një herë thotë që SPAK të mos vijë kurrë për telefonin tim, një herë ngre komisionin Xhafa dhe një herë thotë që ai është garanti që reforma në drejtësi do të vazdhojë. Një herë thotë që amerikanët ikën e një herë hesht kur amerikanët janë aty. Edhe ish kryeministri Berisha është në këtë inkoherencë. Një herë, shumë herë thotë që Dumani është i krimit të organizuar dhe një herë thotë që ai dhe PD nuk synojnë të heqin Dumanin, një herë thotë që SPAK do të shkrihet dhe një herë thotë që PD nuk do të shkrijë SPAK.

Kjo lloj situate, kjo lloj gjendjeje shumë e rëndë e dy partive të mëdha ka bërë që ato të mos jenë më asnjëra një projekt politik. Duke mos u marrë dot me shqetësimin e vërtetë të shoqërisë (ose duke u marrë me të në një mënyrë që shoqëria nuk e do) ato janë kthyer në dy grupime politike apolitike ose edhe antipolitike. Kjo do të thotë se ato që të dyja kërkojnë ruajtjen e statusquosë./Liberale.al

Exit mobile version