Chelsea nuk dorëzohet dhe është gati të bëjë një çmenduri financiare për të marrë nga Juventusi shërbimet e Leonardo Bonuccit. Pas jo-së së marrë nga Napoli gjatë verës për senegalezin Koulibaly me të Kaltërit që refuzuan plot 58 milionë euro nga Blutë e Londrës, Antonio Conte ka vendosur në qendër të dëshirave të tij futbollistin e kombëtares italiane. Nëse u referohemi atyre që shkruajnë mediat angleze, presidenti i Chelsea-it, Roman Abramovich po përgatit një ofertë që kap shifrën e 68 milionë eurove rreth 60 milionë paund për të bindur Juventusin të lejojë kalimin e 29-vjeçarit në “Stamford Bridge”.
Kampionët e Italisë nuk dëshirojnë të privohen kurrsesi nga një mbrojtës si Leonard Bonucci, por për të tilla shifra edhe bardhezinjtë mund të tundohen. Në verën e ardhshme do të jetë një betejë e ashpër mes Manchester City-it të Pep Guardiolës dhe Chelsea-it të Antonio Contes për ish-mbrojtësin e Barit. Në verën e kaluar, Beppe Marotta drejtori i përgjithshëm i Juventusit refuzoi një ofertë prej 60 milionë eurosh të Citiziens për Bonuccin, megjithatë duke parë që tashmë edhe vitet po fillojnë të rëndojnë mbi shpatullat e mbrojtësit, Zonja e Vjetër mund të vendosë ta shesë lojtarin. Conte ka besim se me sforcimin ekonomik të Roman Abramovich dhe me dëshirën e Bonuccit, ky operacion merkatoje mund të realizohet me sukses. Verën e ardhshme 29-vjeçari italian mund të shndërrohet në mbrojtësin më të shtrenjtë të historisë së futbollit.