Armando Broja vazhdon të mbetet në pritje të mësojë të ardhmen e tij, pasi është larguar nga ekipi i parë i Çelsit. Trajneri Enco Mareska e ka nxjerrë jashtë planeve bashkë me Romelu Lukakun dhe të dy po stërviten me ekipin U21 dhe të akademisë gjatë kësaj periudhe.
Shpëtimi i tij mund të vijë nga Bundesliga, pasi “Sky” bën të ditur se nënkampionët e sezonit të kaluar në Bundesligë, Shtutgart, janë të interesuar të firmosin me sulmuesin shqiptar. Shtutgarti sapo ka firmosur me Çengiz Undav, por duket se kërkon alternativa të tjera për repartin e avancuar, duke parë Brojën si një alternativë mëse cilësore.
Broja raportohet se është i interesuar për transferimin në Bundesligë, por bisedimet janë në hapat e parë mes klubeve, pasi Shtutgarti fillimisht është i interesuar për huazimin e tij dhe jo blerjen, siç kërkon Çelsi.