Ofroi para në këmbim të votës në zgjedhjet e 14 majit, GJKKO shpall fajtor Agim Locin! Ja sa u dënua

GJKKO ka shpallur fajtor Agim Locin, i cili akuzohet për korrupsion zgjedhor, duke e dënuar me 1 vit burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe kodit të procedurës penale, ai do të kryejë 80 orë punë në interes publik, për 6 muaj.

gjkko

Kujtojmë se nga hetimet e SPAK ka rezultuar Agim Loci, është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve vendore të datës 14 Maj, të vitit 2023, për bashkinë Vorë, ku shtetësja me iniciale A. L., e bija e Agim Locit, ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, si pjesë e një prej koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje.

Loci ka rezultuar se i ka ofruar shtetasit me iniciale A.K. para me vlerë prej 10 000 (dhjetë mijë) lekë, për të ndikuar në vullnetin e tij, në mënyrë që të votojë një subjekt të caktuar politik në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, më 14 Maj 2023.

Vendimi i GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes nr. 105 të vitit 2023, me të pandehur Agim Loci, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin eOrganizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Rudina Palloj, me vendimin Nr. 64, datë 28.10.2024 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Agim Sinan Loci, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Agim Sinan Loci, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i dënimit me burgim duke e detyruar të pandehurin Agim Sinan Loci, të kryejë 80 (tetëdhjetë) orë punë në interes publik, për një periudhë kohe prej 6 (gjashtë) muajsh, ku gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Shërbimin të Provës, për të përcaktuar llojin e punës që i pandehuri do të kryejë, vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës ku do të kryhet puna në interes publik.

Shpenzimet proçeduriale të parapaguara nga shteti dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Artikulli paraprakVritet me armë zjarri kryebashkiaku në Austri, policia në kërkim të autorit! Dyshimet e para
Artikulli tjetër“Skandal në Këshillin Bashkiak të Vlorës”/ Reagimi i fortë i Gjergji Nikës: Do na kenë përballë në denoncimin e çdo paligjshmërie!