40% e shqiptarëve janë tashmë jashtë vendit. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë…
Sipas informacioneve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), pjesa më e madhe e emigrantëve kalojnë kufijtë për arsye ekonomike dhe mundësi më të mira sociale. Sipas të dhënave të bëra publike nga OKB dhe me përpunimin e PewResearchCenter është hartuar harta globale e origjinës dhe destinacioneve të emigrantëve kudo në botë.
Në vitin 2015, harta tregon se 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. (shiko tabelën). Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar 10 mijë.
Sipas censusit të fundit të INSTAT, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend.
Kjo përqindje ka gjasa të rritet edhe më shumë në periudhën në vijim, pasi në vitin 2015 u shënua një rritje e valës së emigracionit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian, por dhe SHBA-ve. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.
Një tjetër rekord ishin aplikimet për lotarikë amerikane, që në vitin 2015 arritën në 200 mijë.
Sipas mediave britanike, brigjet e Anglisë po kthehen në destinacionin më të fundit të emigrantëve shqiptarë.
Kombet e Bashkuara sugjerojnë, se më shumë njerëz po lëvizin nga shteti ku janë lindur. Në 2015 numri i emigrantëve në të gjithë botën kapi shifrën e thuajse 100 milionë. Emigrimi, sipas raportit është rritur edhe në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim. Në vitin 2015, emigrantët përbënin 3.3% të popullsisë botërore.