Një ekip i Kombeve të Bashkuara është duke diskutuar çështjet e sigurisë me autoritetet siriane dhe ato ruse në Siri për t’iu lejuar ekspertëve qasje në qytetin Duma, për të hetuar sulmin e dyshuar kimik, kanë njoftuar zyrtarë të OKB-së.
Komentet e 18 prillit kanë ardhur pasi Drejtori i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumcu, ka thënë se ekspertët e OKB-së nuk kanë qenë të sigurt kur kanë arritur në qytet, në tentimet e tyre për të fituar qasje te vendi i ngjarjes.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se Departamenti i OKB-së për Siguri ka thënë se shpreson që të arrihen marrëveshje në mënyrë që t’i lejohet ekipit për të “arritur sa më shpejt që është e mundur në vendin e sulmit”.
“Departamenti i Sigurisë në Damask është përfshirë në diskutimet e ardhshme dhe është duke u koordinuar me përfaqësuesit e Republikës Siriane dhe policinë ushtarake ruse për të krijuar siguri në lokacionet specifike në Duma”, ka raportuar AFP bazuar në një dokument që është thënë ta ketë parë.
Shtetet Perëndimore kanë akuzuar Qeverinë Siriane për sulmin e 7 prillit me armë kimike në Duma, afër Damaskut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se 43 persona që kanë vdekur i janë ekspozuar “toksinave kimike me përqendrim të lartë”.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë sulmuar zonat qeveritare siriane më 14 prill si përgjigje ndaj këtij sulmi.
Fuqitë Perëndimore po ashtu kanë thënë se aleatja e Sirisë, Rusia mund të ketë shtyrë vizitën e hetuesve në Duma për të zhdukur gjurmët.
Damasku dhe Moska insistojnë se incidenti i 7 prillit ka qenë i fabrikuar.