CHRISTIAN CARYL
Si çdo vit, banka e investimeve Credit Suisse botoi vëzhgimin e saj vjetor të pasurisë globale. Raporti i bankës është i mbushur me gjetje interesante, por njëra në veçanti të bie në sy. Ka të bëjë me shpërndarjen e aseteve në Rusi, ku, siç thotë raporti, vetëm 110 vetë zotërojnë 35% të të gjithë pasurisë së vendit. Në të njëjtën kohë, 93.7 për qind e rusëve vlejnë 10 mijë dollarë apo diçka më pak.
Siç thotë raporti, kjo e bën Rusinë vendin me shpërndarjen më të pabarabartë të pasurisë në botë. Amerikanët, që tani janë gjithnjë e më të shqetësuar për thellimin e pabarazisë në vendin e tyre, mund të gjejnë ndoshta pakëz ngushëllim prej këtij konkluzioni dëshpërues. Edhe në rrethanat aktuale, pasuria në SHBA është sërish e shpërndarë shumë më barabartë. Mund të jetë edhe më keq, apo jo?
Ndoshta. Ka shumë pak arsye për t’u ngazëllyer. Rusia është thjesht rasti më ekstrem i një tendence mbarëbotërore që mund të jetë një prej rreziqeve më të mëdhenj që ka demokracia sot: përhapja e oligarkisë.
Problemi nuk është thjesht që disa njerëz në botë sot janë tmerrësisht të pasur. Problemi është se pasuria gjithnjë e më e shpërpjesëtuar shkon paralel me pushtetin gjithnjë e më të shpërpjesëtuar. Sërish, Rusia ofron një shembull të përsosur të rreziqeve. Në vitet nëntëdhjetë, një grusht manjatësh me lidhjet e duhura politike mundën të përfitojnë prej marrëdhënieve të tyre të ngushta me Kremlinin e Boris Jelsinit duke shfrytëzuar privatizimin e xhevahirëve të industrisë – mbi të gjitha, naftën. Ata manjatë nuk e kishin hiç për turp të shfrytëzonin pushtetin e tyre ekonomik për qëllime politike. Financuan rizgjedhjen e Boris Jelsinit si President më 1996, kontrolluan takimet ministerore dhe diktuan politikat e qeverisë. Jo më kot, këta biznesmenë të lidhur me politikën u pagëzuan më vonë me emrin “oligarkë” (“Oligarki” në greqishten e vjetër do të thotë “qeverisja e të paktëve”).
Një prej tyre, që ndërroi jetë këtë vit, makiavelisti Boris Berezovski organizoi ngjitjen deri në postin e Kryeministrit të një ish-oficeri të KGB. Por, në fund, Vladimir Putini nuk ishte aspak mirënjohës. Pasi u bë President mbi këmbët e veta, Putini nisi t’i tregojë vendin ish-tutorit, duke e detyruar të zgjedhë mërgimin. Putini ua reduktoi fuqinë edhe ish-manjatëve të epokës së Jelsinit (mbi të gjithë Mikail Khodorovski, që sot mbush dhjetë vite burgim në një kamp pune të detyruar). Në vend të tyre, ai forcoi një grup të ri biznesmenësh – shumë prej tyre me lidhje me shërbimet e dikurshëm të zbulimit sovjetik – të cilët, i detyrohen mbi të gjitha atij vetë për pasurinë që kanë vënë. Një prej tyre, një tjetër ish-oficer i KGB me emrin Igor Sekin, që drejton kompaninë më të madhe të naftës në vend, shihet sot si njeriu i dytë më i pushtetshëm pas vetë Putinit.
Por ky nuk është vetëm problemi i Rusisë. Siç është bërë e qartë tashmë, globalizimi dhe forcat e mëdha ekonomike që ai ka “ndërsyer” kanë pasuruar në mënyrë të pakrahasueshme një elitë të re dhe shumë të vogël. Quajini si të doni: superklasë, plutokratë, “meritokracia globale”. Ata janë mishërimi i lidhjeve mes pasurisë dhe klasës politike. Dhe ky është një problem që po i irriton gjithmonë e më shumë votuesit, në vende nga Londra në Kuala Lumpur.
Është një sfidë që merr forma të ndryshme. Në Kinë, anëtarësimi në Partinë Komuniste në pushtet përbën shpesh rrugën më të kollajtë drejt pasurimit. Shumë prej skandaleve të sotme politike ndodhin me “princërit”, pasardhësit e zyrtarëve të lartë të partisë, të cilët mishërojnë përzierjen e fuqishme të kapitalizmit nepotik me marksizëm-leninizmin. Falë disa “gërmimeve” të spikatura të gazetarëve të guximshëm në vitet e fundit, kemi mësuar disa gjëra “të mahnitshme” për shkallën e privilegjeve që gëzojnë familjet e pushtetarëve, si presidenti Xi Jinping dhe ish-Kryeministri Wen Jiabao. Por, vështirë se kjo gjë befason ndokënd. Kur mendon që Republika Popullore qeveriset nga shtatë anëtarët e Komitetit Qendror të Byrosë Politike të Partisë Komuniste, atëherë kemi të bëjmë me një numër shumë të vogël familjesh që ushtrojnë një kontroll të pakufizuar mbi një prej ekonomive më të mëdha të globit. Në një sfond të tillë, është thjesht e natyrshme që pushteti politik dhe ai ekonomik të fuqizojnë njëri-tjetrin.
Sigurisht, situata në Kinë është rezultat i një programi liberalizimi ekonomik të udhëhequr prej një elite autoritare. Në vendet e Perëndimit të zhvilluar, situata është disi e ndryshme. Numri i aktorëve është më i madh; pasuria dhe ndikimi politik janë të shpërndara më gjerësisht. Por, kjo gjë pak i ngushëllon amerikanët, të cilët kanë dalë si të humbur prej Epokës së fundit të Artë. Barazia ekonomike në SHBA u rrit në mënyrë të qëndrueshme gjatë tri dekadave të para të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, por erdhi e u ndal në mes të stagflacionit dhe rritjes së konkurrencës ndërkombëtare në vitet shtatëdhjetë. Siç e thotë ekonomisti Joseph Stiglitz në një editorial të kohëve të fundit:
“Vitin që kaloi, 1 për qindëshi ‘në majë’ i amerikanëve morën 22 për qind të të ardhurave. 95 për qind e të gjithë të ardhurave që nga viti 2009 kanë shkuar tek ky një për qindëshi. Të dhënat e censusit të bëra publike kohët e fundit tregojnë se të ardhurat mesatare në Amerikë nuk kanë ndryshuar prej pothuajse çerek shekulli”.
Në të njëjtën kohë, toleranca e jashtëzakonshme që ligjet e SHBA i bëjnë lobimit dhe financimeve të fushatave ka lejuar elitat e pasura që të fitojnë një ndikim shumë të madh mbi procesin politik. Tashmë, çdokush që ndjek politikën, ka dëgjuar historitë për shumat e madha të parave që shpenzojnë manjatë konservatorë të biznesit si vëllezërit Koch; më pak të diskutuar ndoshta janë demokratët e pasur, si George Soros apo Tom Steyer, të cilët kënaqen të përdorin pasurinë e tyre për të ndikuar politikën. Por edhe më pak të dukshme janë korporatat e mëdha dhe shoqatat e industrialistëve, që janë në gjendje të blejnë ligjbërës dhe rregullojnë legjislacionin sipas interesave dhe nevojave të tyre.
Një studim akademik i kohëve të fundit përllogarit që 40 për qind e kontributeve në fushatën politike të vitit 2012 erdhën prej një e qindta e një për qindëshit të familjarëve amerikanë. Kjo shifër ndoshta reflekton rritjen e vetëdijes së elitës së re ekonomike për pushtetin e saj politik – për të mos përmendur apatinë mes segmenteve të tjerë të shoqërisë, që ndihen gjithnjë e më të larguar prej pjesëmarrjes në vendimmarrje. Dobësimi i qendrave alternative të pushtetit, si sindikatat, padyshim që kontribuon në një rritje të cinizmit dhe mosangazhimit. Gjithë këto dëmtojnë premtimin e sistemit demokratik të Amerikës. (Në këtë kontekst, nuk është për t’u habitur që Gjykata e Lartë e SHBA po peshon edhe një herë çështjen e limitit të kontributeve individuale në fushatat elektorale).
Si rezultat, në SHBA po ndodh tashmë një diskutim i zgjeruar i shkaqeve të pabarazisë dhe pasojave të saj politike. Autorë nga George Packer tek Tyler Cowen po nxisin një debat mbi atë që po perceptohet si një prishje e kontratës sociale të Amerikës. Libri i ri i ekonomistit Angus Deaton, “Arratia e madhe” ka brenda dhe një shprehje të paharrueshme: “Nëse demokracia bëhet plutokraci, ata që nuk janë të pasur, janë praktikisht pa të drejtë vote”.
A mund ta ndalim këtë prirje – disa, si Cowen, që besojnë se pabarazia aktuale është kryesisht një funksion i ndryshimeve teknologjike – janë skeptikë. Të tjerë këmbëngulin se mund ta kundërpeshojmë zhvendosjen drejt qeverisjes prej disa pak vetëve përmes politikave të mençura, të hartuara për të sheshuar terrenin e lojës – mbi të gjitha në arsim, infrastrukturë dhe kujdes shëndetësor. Masat për të kufizuar rolin e parasë në politikë ndoshta nuk do të ishin një ide e keqe. Për ata që ende besojnë në supremacinë e tregut, paketa mund të përfshijë gjithashtu masa të hartuara për të nxitur konkurrencën e shëndetshme në vend të pasurimit të sotëm të korporatave përmes superkompanive me mbështetje politike.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë që të hiqet dorë nga kapitalizmi. Siç thonë ekonomistët, globalizimi ka sjellë prosperitet relativ për shumëkënd në të gjithë botën, të cilët më parë as nuk do ta ëndërronin. (Si fillim, mendoni për ata fshatarët kinezë që sot mund të përballojnë tri vakte në ditë – e pamendueshme dikur). Në tërësi, treguesit e pasurisë dhe zhvillimit janë përmirësuar dramatikisht gjatë 50 viteve të fundit. Por asnjë prej këtyre nuk shmang nevojën për të garantuar që fitimet e jashtëzakonshme që akumulojnë superstarët në majë nuk përfundojnë duke na hequr ne të tjerëve të drejtën e votës. Përndryshe, e ardhmja duket e zymtë.
Po a do të heqin dorë kaq kollaj nga pasuria super të pasurit? Ndonëse “Occupy Wall Street” sulmoi një për qindëshin e famshëm me shumë energji dhe pasion, impakti politik i lëvizjes ishte në fakt shumë pranë zeros. Është koha për lëvizje të reja politike që të munden të bashkojnë fuqinë e individëve dhe të gjejnë përgjigje koherente ndaj përqendrimit në rritje të influencës tek ata të paktët në majë. Dhe ka shanse madje që disa prej plutokratëve më të ndriçuar do të ofrojnë ide për të fuqizuar shumicën. Ku është Bill Gates kur ne kemi nevojë për të?
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI