Olsi Rama me makinën e kokainës

Me fakte të dokumentuara, ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament hyrjet dhe daljet e vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama me makinën e kreut të bandës së kokainës, Gentian Gjonajt. Berisha tha se makina me të cilën lëviz Olsi Rama është e përshtatur për transportin e kokainës dhe se kryeministri Rama ka personalisht komunikim konstant me këtë bandë.
“Me një ndjenjë dhembjeje të thellë, keqardhje maksimale më duhet të them se të gjitha klasifikimet politike të korifenjve të mendimit politik, kjo klikë në pushtet nuk është një oligarki, nuk është një kleptokraci, por kjo mirëfilltas është një banditokraci. Samuel Huntington në vlerësimin e formave të ndryshme të regjimeve të degraduara përshkruan si formën më tragjike atë që ai e quan banditokraci.
S’do ta thoja kurrë, s’do të bëja kurrë një cilësim të tillë për vendin tim, por më e madhe është fatkeqësia po ta fshehësh se ta denoncosh një realitet të tillë.
Këta që shihni mbrapa (iu referohet ministrave të kabinetit qeveritar) dhe ca të tjerë këtu nëpër sallë, nuk janë gjë tjetër vetëm organizata kriminale e kësaj banditokracie. Këta janë kreu i asaj organizate kriminale që udhëheq banditokracinë. Është fjalë e rëndë kjo, e rëndë sa toka. Kjo do argumente.
Unë akuzoj si kreun e banditokracisë, kryebanditin Edi Rama që s’ka guxim të paraqitet më në këtë sallë, që ikën e ja mbath sepse këtu është gracka ku shpirti i tij kapet për fyti dhe i përplaset surratit të gjitha ato që ka bërë dhe bën.
Edi Rama ka një vëlla, vëllai i tij quhet Olsi Rama, qytetar shqiptar dhe amerikan. Kur denoncova në këtë Parlament se u kthye për afera dhe trafiqe, absolutisht asnjë prej jush nuk ma merr mendja se e besoi. Por e vërteta është që unë informacionin e kisha nga një anëtar i penduar i grupit të tij në Boston dhe që është në Shqipëri.
Vijmë më tej tek Olsi Rama. Këtu kam me data, me fotografi, me çdo gjë, daljet jashtë vendit të Olsi Ramës, por me çfarë thoni ju? Me makinën e kreut të grupit të kokainës. Me të njëjtën targë, me të njëjtin prodhim, së bashku me një ndrikull që punon në Federatën shqiptare të Futbollit, një Jona, një Jona Dervishi.
Kjo makinë është gjetur nga Prokuroria e Shtetit si një makinë e përshtatur me vende të fshehura për transportin e kokainës. Kjo fuoristradë është gjetur për transportin e kokainës.
Kush të dojë i ka këtu të gjitha hyrjet dhe daljet e vëllait të kryeministrit, Osli Ramës dhe ndrikullës Dervishi dhe të makinës së drogës, të Genti Gjonaj.
Ka një komunikim konstant me këtë bandë nga vetë kryeministri. Kreu i qeverisë është dhe kreu i banditokracisë, është kryebanditi, sepse kësaj radhe, jo unë, por një ministër për hir të së vërtetës i përgjegjshëm e akuzon se falsifikon mbledhjet e qeverisë. E akuzon se ka mbledhur qeverinë duke i patur shumicën e ministrave jashtë shtetit. Vetëm një bandit mund t’i lejojë vetes të thyejë Kushtetutën, që përcakton se si funksionon qeveria, të thyejë ligjin organik të Këshillit të Ministrave. Për banditin nuk ka ligj, për banditin nuk ka Kushtetutë. Edi Rama është kreu i bandave. A ka kryeministër në Europë sot të lidhur kaq fort me krimin, që e ka të mbushur celularin me sms të Balilit, sms të Dritan Dajtit dhe Lul Berishës? Madje dhe duke u kryer punë atyre dhe duke iu zotuar se: ‘S’ta kam bërë unë këtë apo atë pengesë’.
Këto janë absolutisht të vërteta dhe mos kini merak se do të vijë shpejt dita dhe do të dalin një nga një në dritën e diellit e vërteta. Por ju as nuk skuqeni dhe as zverdheni. Ju më shëmbëlleni mua si qenie të mjeruara, të decelebruara”, u shpreh Berisha.

Exit mobile version