Nga Edison Ypi
U raftë pika budallejve që e dinë se Shishtaveci është i famshëm vetëm për patate.
I largët, i ftohtë, serioz, verior, malësor, kufitar, nuk lihet pa u pa Shishtaveci.
Shqiptari që nuk shkon me pa Shishtavecin, nuk është shqiptar, është parazit, zvarranik, kërrmill, vemje, krimb, bacil.
Rruga për në Shishtavec nis në lindje të Kuksit.
Humnera e ngushtë shkëmbore ku gjarpëron rruga, është më madhështori dhe më i bukuri kanion i botës.
Sapo ke hyrë në atë mrekulli që Zoti e ka bërë me dorën e vet, ndjen një shqetësim, një preokupim, dhe i bën pyetje vetes:
Ku po më degdis kali Suzuki, ku po më çon mushka Toyota, ku më ka sjellë gomari Benz ? A e meritoj këtë udhëtim ? A kam Ftesë Hyjnore me kalu këndejpari ? A i plotsoj kushtet psiko-fizike për të vazhduar ? Zemra, mushkëria, truri, a më punojnë si duhet ? A jam shpirtërisht i përgatit për çfarë do shoh, dëgjoj, nuhas, prek ? Me ç’mënyrë do depërtoj ? Si drejt një aventure që i dihet fillimi por jo fundi ? Si në një sallë koncerti ku luhet muzikë serioze që tallazit shpirtin ? Si në një galeri arti ku ka vetëm kryevepra që s’mjafton jeta për t’i kqyrur ?
Nëse këto kushte nuk i plotëson, mos i lodh kot mushkat e japanit, as gomerët e nemces. Kthehu nga u nise. Atje ku e meriton si ngordhalaq që je, mes llapaqenave të qytetit dhe bjerrakohsave të kafeneve të shtysh ditët duke pritur të ngordhësh.
Ama nëse kupton dhe ndjen, pra kushtet i plotëson, ke trokitur në portën e duhur. Vazhdo rrugën, fundosu teposhtë mes shkëmbinjve drejt një qielli tjetër, një qielli të përmbysur, një nënqielli, më të kaltër e më të bukur se ky i ditëve banale mes gromësimave të gazetave e televizioneve, pordhologëve të kudondodhur që po ta nxijnë jetën.
Përrenj që zbresin plot shkumë nga majat e maleve, lëndina, pyje, zgavra shkëmbore misterioze.
Kanioni është i tëri një arenë lufte darviniane mes bimësisë mesdhetare dhe kontinentale.
Çka mbetet nga ky dyluftim, është një blerim alpin që s’ka penë e pentagram që e kap.
Një piktor gjenial ka shkundur penelin mbi faqet e maleve duke lënë mbi to splasha me ngjyra, fshatrat e mahnitshëm.
Thëllimi të futet në mish.
Një çoban, një fëmijë i vetmuar që shkon në shkollë, një kalimtar në hall të vet, tre a katër fuoristrada që ngjiten si tigra me kthetra mbi një serpentinë malore plot kthesa, janë preludi i një simfonie madhështore.
Pas një laryshie natyrore marramendëse me përrenj, korie, pyje, kanioni shkëmbor mbaron. Para syve të del një det me dallgë kodrinore me të ikë truri; Shishtaveci elegant plot me hire dhe mistere.