Onkologjiku nuk ka pajisjet, investigimi: QSUT uli shpenzimet për pacientët me tumor, ku shkojnë të sëmurët

ARMAND KULLAU/ Më 11 shkurt 2024, kati i nëndheshëm i Urgjencës së re në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, u mbulua nga flakët pas zjarrit që shpërtheu në godinë.

 

Shumica e pacientëve, që ndodheshin në spital u evakuuan për të shmangur asfiksimin. Një pjesë e tyre u dërguan me urgjencë në spitalin e Saukut dhe disa të tjerë u sistemuan në pavione të tjera të QSUT-së. Por, pas hirit që la pas zjarri i dy muajve më parë do të zbuloheshin fakte të forta lidhur me investimet që ishin kryer aty, duke nisur që nga krevatet e vjetra, edhe pse për ndërtimin e Urgjencës u shpenzuan 17 milionë euro për ta ndërtuar nga e para. Pak ditë pas shpërthimit të zjarrit në QSUT, kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësinë, deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, kërkoi zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësve të zjarrit në QSUT. “Ajo çfarë ndodhi në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, është tregues i qartë ku ndodhet sot shëndetësia shqiptare. Qytetarët paguajnë për shëndetësinë më shumë se kushdo në Europë. Por, pavarësisht kësaj, ata nuk marrin shërbime. Miliardat qeveria i çon për biznesin e koncesioneve dhe në xhepat e oligarkëve”, – tha Gjergji në Kuvend.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet mbi zjarrin e rënë në Urgjencën e Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’, ku pritet të zbardhen shkaqet dhe dëmet mbi ndërtesën e re, të inauguruar me bujë në prill 2023. Por marrja flakë e Urgjencës dhe dalja në pah e mungesave të pajisjeve veçse hapi edhe një herë çështjen e mungesës së barnave, sidomos në fushën më të ndjeshme dhe më të kushtueshme; atë të kimioterapisë. Vetë qytetarët kanë rrëfyer për “Vetting” kalvarin e vuajtjeve: “Më ka lënë vëllai. Ka bërë dy-tri seanca (Kimioterapi). Ai vinte nga fshatrat e thella të Korçës. Vinte i sëmurë, do rrinte dy javë në spital. Atë periudhë unë e kam ndjerë veten shumë keq, se mungesë ilaçesh dhe kushtesh. Vija dhe kërkoja ilaçet, do vinë ilaçet sot, do vinë ilaçet nesër…”, – shprehet Drita Hoxhallari, e cila përlotet ende teksa kujton humbjen e vëllait për shkak se ilaçi që u duhej, nuk u sigurua dot nga spitali! Por Drita Hoxhallari është vetëm një nga ato qindra qytetarë që është përballur me përditshmërinë e mungesave tek Onkologjiku, mungesa të cilat duhet t’i sigurojnë më pas në treg të zi me çmime të kripura.

Përveç barnave, mungesa tjetër është ajo e disa aparateve për trajtimin e disa lloje tumoresh. Mosfunksionimi prej muajsh apo vitesh e disa aparateve shton një tjetër alarm të ngritur nga pacientët, të cilët çdo ditë iu duhet të mendojnë se ku do iu duhet të gjejnë paratë për të përballuar sëmundjen që i gllabëron jo vetëm ditët por edhe çdo kursim. Vetë mjekët pranojnë se, mungesa e barnave të kimioterapisë është një problem i rëndë, që ka pasoja fatale, duke shkuar në kufijtë e krimit, për shkak të pasojave fatale. “Në rastin kur kemioterapia nuk jepet për shkakun se preparati nuk gjendet, mungon preparati i nevojshëm për të trajtuar atë formë kanceri, unë këtë e klasifikoj tek rrethanat dhe situatat kriminale sepse jeta e pacientit vendoset në rrezik serioz”, – shprehet eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho.

Situata bëhet akoma më e rëndë për shumë nga pacientët me tumore, pasi disa nga barnat kushtojnë 300-500 euro, duke i vendosur ata drejtpërdrejt në rrezik për jetën. “Kjo në njëfarë mënyre është vrasje e ngadaltë e qytetarëve, nga mungesa e shërbimit, nga mungesa e financimit dhe nga mungesa e trajtimit njerëzor të tyre”, shprehet Rigels Xhemollari, drejtues i Qendrës Qytetare!

KUSH PO I NDËSHKON PACIENTËT?

“Vetting” ka kryer një investigim për problemet e shumta që hasin qytetarët shqiptarë për tu përballur me sëmundjen e kancerit, ku zanafilla e problemit fillon me buxhetin për shëndetësinë.

Disa ditë para miratimit të buxhetit të vitit 2024, ministrja e sapoemëruar e Shëndetësisë, Albana Koçiu, deklaroi përpara deputetëve se buxheti për Shëndetësinë ishte më i madhi i miratuar nga qeveria shqiptare. Në nëntor, ku parlamenti ishte mes flakëve dhe tymit, buxheti kaloi për 4 minuta dhe askush nuk diskutoi konkretisht se si do të ndaheshin paratë. “Aktualisht në 2024-n llogaritet vetëm buxheti që shkon për Shëndetësinë, sepse Ministria në vetvete ka brenda edhe mirëqenien sociale dhe buxheti realisht shkon 90 e ca miliardë lekë ose 900 e ca milionë euro. Por Buxheti që shkon për shëndetësinë, atë që ne njohim si Shëndetësi në tërësi është vetëm 2.8 përqind e GDP-së.

Është pak a shumë një shifër relativisht e ngjashme, pak a shumë me atë të 10 viteve më parë. Praktikisht aspekti i parë është se jemi shumë larg premtimeve që ne do të bëjmë, dmth., buxheti i Shëndetësisë do të shkojë 5 për qind i GDP, do të shkojë njësoj si vendet e rajonit”, shprehet eksperti i ekonomisë, Klodian Muço! Ndërkohë, në fillim të vitit 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi të dhënat mbi shpenzimet e shëndetit në nivel global. Në këtë renditje, Shqipëria është e para në rajon për nivelin e lartë që qytetarët shpenzojnë nga xhepi i tyre për shëndetin. Pra, jo rrallë herë, nëse një qytetar shqiptar ka probleme shëndetësore, zgjidhja e vetme është xhepi i tij, ose shtimi i borxheve dhe i kredive, pasi qeveria shqiptare nuk investon sa duhet në këtë sektor. “Asnjë qytetar nuk ka marrë nga paratë publike për t’u kuruar, por ka pasur donacione, mbledhje të ndershme nga vetë qytetarët ose ka marrë kredi dhe këto format e tjera të ndihmës ekonomike”, – shprehet Rigels Xhemollari.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë trumbeton rritjen e buxhetit, situata është e përmbysur. Ky fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e Spitalit Onkologjik, të cilat janë audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Konstatohet se shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve tumorale zënë një peshë të vogël në shpenzimet buxhetore që kryen QSUT, “Nënë Tereza”. Gjithashtu duhet vënë në dukje se, shpenzimet buxhetore nuk kanë ndjekur prirje të rritjes së tyre krahasuar me buxhetin e përgjithshëm të QSUT-së ndër vitet në auditim, por përkundrazi kemi një rënie të konsiderueshme nga 17,7 % në 7,9% në vitin 2022, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje”, shkruhet në raportin e KLSH-së për vitet 2020-2022.

Pra, nëse në Shqipëri vijon të rritet numri i personave me sëmundje tumorale, QSUT ka ulur shpenzimet për sigurimin e barnave dhe kimioterapive për pacientët që përballen me një nga sëmundjet më të rrezikshme të shekullit. “Ajo që është vënë re kohët e fundit, është parë që sëmundja tumorale është gjithmonë në rritje, përveçse është në rritje ka edhe një predominim të numrit të rasteve në moshat e reja, duke iu referuar faktorëve të sëmundjeve, të cilët ndahen në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm”, – shprehet mjekja onkologë, Alketa Pera! Ndërkohë, raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2020-2022, në repartin Onkologjik, ka ngritur alarmin për fondet anemike në këtë sektor, të cilat janë të pamjaftueshme për luftën kundra kancerit.

HISTORIA E BARNAVE QË MUNGOJNË

Mungesën e barnave të kimioterapisë nuk e kanë denoncuar vetëm familjarët e pacientëve, por edhe mjekët që kanë qenë pjesë e sistemit shëndetësor. “Mungon në QSUT preparati Velcade (Bortezomib) i cili përdoret për trajtimin e shumë tumoreve, përfshi mielomën multiple. 600 euro i kushton një flakon qytetarit, ose 3,600 euro për cikël”, – do të shkruante eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho nga platforma e tij sociale. Denoncimi i mjekut ka ndodhur më 11 korrik të vitit të kaluar, duke sjellë dhe interesimin e “Vetting” pranë QSUT. Zyra e transparencës në QSUT deklaroi se në spital gjendej medikamenti për kimioterapinë dhe kontrata për furnizimin e radhës ishte firmosur në 20 korrik 2023, 9 ditë pas apelit nga mjeku i njohur. Për “Vetting”, QSUT sqaroi se pas nevojës së shtuar të këtij medikamenti, janë marrë masat për të garantuar furnizimin. Megjithatë për periudhën nga 11 korrik 2023 deri në firmosjen e kontratës, pacientët duhet të gjenin forma alternative për të siguruar barin. Edhe pse kontrata u firmos në 20 korrik, burime konfidenciale për gazetarët deklaruan se pas firmosjes së kontratës, pacientët duhet të prisnin furnizimin.

Historia me mungesën e barnës së kimioterapisë daton, në fakt, më herët, pasi shpeshherë, familjarë të pacientëve dhe organizatat jofitimprurëse kanë denoncuar mungesën e ilaçit “Velcade” (Bortezomib).

ÇFARË NDODH BRENDA QENDRËS SPITALORE UNIVERSITARE ME ILAÇET?

“Nga informacionet që unë kam, ka barna të cilat janë të shtrenjta, si rasti i barit Velcade, Cytoxan e me radhë, që i marrin të sëmurët me kimioterapi, të cilat u mohohen një pjese të pacientëve, për të cilat çdo ditë qytetarët bëjnë luftë për t`i marrë në doza të sakta, që në pas rezulton se qytetarët njëherë e marrin e njëherë s’e marrin”, – tregon Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare”.

POR CILAT JANË KOMPANITË QË DUHET TË SIGUROJNË MEDIKAMENTIN?

Në 27 qershor 2022, brenda 24 orëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të shpallte fituesit për disa tenderë, ku midis tyre edhe Marrëveshja Kuadër për barin Velcade (Bortezomib). Po në këtë datë, bashkimi i kompanive “DELTA PHARMA-AL”, “MEGAPHARMA” dhe “T R I M E D” shpk., do të ishin pjesë e garës për lotin 3, (Bortezimob) me fond limit rreth 1 milion euro. Në këtë tender merrnin pjesë vetëm këto kompani, të cilat u shpallën automatikisht fituese me ofertë 105 milionë lekë, sa 99,9% e fondit limit.

Në bazë të informacioneve nga Agjencia e Prokurimeve Publike, “Vetting” ka zbuluar parregullsi me këtë kontratë. Duke shfletuar më mijëra faqe nga buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik, “Vetting” nuk arriti të gjente publikimin e lidhjes së parë të kësaj kontrate. Nga kërkimet investigative rezultoi se tri kompanitë, që kanë fituar tenderin, kanë firmosur disa minikontrata.

Minikontrata e parë me nr. 1945/163 Prot., është firmosur në datë 13.09.2022. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, për minikontratën e parë kërkohet publikimi i njoftimit për lidhjen e saj te Agjencia e Prokurimit Publik brenda muajit janar të vitit pasardhës, në rastin konkret në janar 2023. “Vetting” kontaktoi përsëri Agjencinë e Prokurimeve, pasi të dhënat për minikontratën e parë nuk gjendeshin te buletinet. Sipas Agjencisë, nga verifikimet e kryera në Sistemin e Prokurimit Elektronik, rezulton se Autoriteti Kontraktor (QSUT), nuk e ka ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik njoftimin për lidhjen e minikontratës së parë për rastin.

“Vetting”: Onkologjikut i mungojnë pajisjet, ku shkojnë pacientët?

Në gusht të vitit 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit doli me një audit për periudhën 2020- 2022 për trajtimin e sëmundjeve tumorale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke evidentuar një listë të gjatë problemesh.

“Shqetësues është fakti që si QSUT Spitali Onkologjik dhe Spitalet e Rajonale, mbajnë buxhete ‘historike’, të cilat nuk ndryshojnë në vite. Në referim të të dhënave të siguruara pranë Spitalit Onkologjik në QSUT, numri i pacientëve në rang vendi nga viti në vit, është në rritje, fakt që tregon agresivitetin e sëmundjeve tumorale”, – thuhet në raportin e KLSH-së për repartin Onkologjik. Në këtë raport është evidentuar se numri i pacientëve që ekzaminohen me këto sëmundje është në rritje. Këto sëmundje shkaktojnë rreth 16% të vdekjeve çdo vit dhe buxheti për trajtimin e tyre zë një peshë të vogël në buxhetin e QSUT-së.

Emisioni “Vetting” solli zëra të vetë qytetarëve që prisnin në dyert e repartit Onkologjik, të cilët konfirmonin se prisnin prej katër ditësh për shkak se nuk punonin aparaturat. Edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar disa probleme për shërbimin onkologjik, që lidhen me mosfunksionimin e disa pajisjeve bazë, përsëri situata nuk ka ndryshuar. Këto pajisje përdoren për trajtimin e sëmundjeve tumorale, duke lënë qindra pacientë pa këtë shërbim jetik. “Konstatohet se numri i rasteve të trajtuara pranë shërbimit të radioterapisë, mbështetet në 4 pajisje kryesore, nga të cilat Brakiterapia nuk është funksionale përgjatë gjithë periudhës së auditimit, ndërsa Ortovoltazhi nuk funksionon që prej datës 02.11.2022”, thuhet në raportin e KLSH.

MUNGESA TË TJERA SIPAS KLSH

Sipas audituesve të KLSHsë, mungesa e Brakiterapisë ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve në vit. Pra, për tri vite radhazi 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre. Pajisja mjekësore tjetër që nuk është funksionale prej nëntorit 2022, sipas audituesve, është Ortovoltazhi. Për shkak të një defekti, nuk janë trajtuar pacientët që vuajnë nga tumoret e lëkurës dhe tumoret e gjëndrave të djersës. Mungesa e aparatit të Ortovoltazhit ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve.

Ata nuk kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë rrezik për shëndetin e tyre. Në mënyrë të vazhdueshme është bërë evident shqetësimi pranë Drejtorisë së QSUT, që pajisja e Ortovoltazhit është amortizuar prej vitit 2020. Kjo pasi aparati i Ortovoltazhit është i instaluar në vitin 2002. Pas disa kërkesave, drejtoria e QSUT-së ka dërguar një aparat të ri donacion nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në janar të këtij viti, por raporti vlerëson se aparati nuk është instaluar ende dhe pengohet nga procedurat burokratike të institucionit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gjithashtu se mungojnë dhe pajisje të tjera me rëndësi në trajtimin e sëmundjeve tumoriale si, tubusat e aparatit të shiringës elektrike, pompa, maskat termoplastike individuale.

“Në këto, kushte unë e gjykoj si mjek, si specialist i shëndetit publik dhe si person që e ka ndjekur me shumë vëmendje dhe i ndjek me shumë vëmendje ato që ndodhin në sistemin shëndetësor shqiptar dhe stadi ku ndodhet sot shëndetësia shqiptare nuk është i përputhshëm me mungesën e kemiopreparatave bazë”, – shprehet eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho.

QSUT-KLSH, LOJË ME SHIFRAT

“Vetting” bëri disa kërkime për numrin e pacientëve që kanë marrë trajtim në QSUT, por zbuloi mospërputhje midis shifrave të cituara nga vet spitali dhe të atyre që ka deklaruar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas QSUT, në vitin 2020 janë trajtuar 2185 pacientë ciklikë, në vitin 2021 janë trajtuar 2287 pacientë dhe 2481 në vitin 2022.

Pra, kemi rritje të këtyre pacientëve, por mungesë kimiopreparatesh dhe ulje të fondeve për Onkologjikun nga QSUT. Ndërkohë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shifra që nuk korrespondojnë me të dhënat e QSUT. Konkretisht në vitin 2020 janë trajtuar 1202, në vitin 2021 janë trajtuar 1314 dhe në 2022 janë trajtuar 1361 pacientë. Shifrat që deklaron QSUT janë dy herë më të larta se ato që ka kontrolluar KLSH-ja.

Artikulli paraprakRaporti i SPAK: Korrupsion i sofistikuar dhe pastrim parash me PPP-të! Si copëzohen investimet në disa nënkontraktorë, pjesë e të njëjtës skeme
Artikulli tjetër“Amnistia Penale”, Alibeaj: Dje u amnistuan drejtorët, sot thirren protestuesit para Bashkisë. Tallje!