“Open Ballkan”/ Edita Tahiri: Rama do të mbajë përgjegjësi për destabilitetin në Ballkan

Ish-zv.kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po kontribuon për krijimin e Serbisë së Madhe me iniciativën e Ballkanit të Hapur.

E ftuar në emisonin ‘Debati’ në A2 CNN, Tahiri pati kritika edhe për BE që nuk po përshpejton integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa zgjidhjen e sheh te SHBA, pasi Kosova dhe Shqipëria nuk mund t’ i përballojnë të vetme presionet.

Sipas ish-zv.kryeministres, duhen konsulta strategjike gjithë shqiptare që të mos lejohen gabimet që po bën Shqipëria zyrtare në këto kohë.

Për Tahirin Ballkani i hapur është për hegjemoninë serbe në Ballkan me ndihmën e Rusisë, e cila sipas saj po mbështet Serbinë edhe për destabilizimin e Bosnjës, ku tensionet janë në pikën e vlimit me rrezik të shpërthimit të konflikteve.

“Prej dy vjetësh kjo iniciativë po ecën në mënyrë të reduktuar dhe me shumë kundërshti. Dhe sot nuk ka pasur gjëra të reja përveç vlerave të Ballkanit përmes nismave të reja rajonale që janë nën ombrellën e BE. Ballkanin e hapur e shoh si një përpjekje për të krijuar një Neo Jugosllavi, por po shoh që Ballkani i hapur duhet të ndërrojë emrin dhe të jetë Ballkani i hapur për hegjemoni serbe në Ballkan me ndihmën e Rusisë. Ky takim i treshes për t’ i krijuar idenë që janë bashkëpunues dhe brengosen për rajonin. Serbia nga ana tjetër e mbështetur nga Rusia po destabilizon Bosnjën, tensionet janë në pikën e vlimit me rrezik të shpërthimit të konflikteve”.

Tahiri thotë se, nisma e Ballkanit të hapur do të dështojë dhe paralajmëroi se Rama dhe Vuçiç do të mbajnë përgjegjësi për të këqijat që e presin Ballkanin.

“Pak më herët vendosi ushtrinë pranë kufi me Kosovën dhe habitem që Rama shkon në Beograd pa i thënë Serbisë largo ushtrinë nga kufiri me Kosovën. Ballkani hapur jo vetëm do të dështojë, por po i shërben Serbisë për të krijuar për Serbinë e Madhe dhe do të jenë përgjegjësi për të këqijat që e presin Ballkanin. Është rikthyer retorika e Milosheviçit që të gjithë serbët të jenë nën një shtet dhe të mbrohen dhe këto skenarë po lejohen”.

Shpresën për të ndaluar Serbinë dhe Rusinë në Ballkan, Tahiri e shikon te SHBA, pasi BE thekson ajo nuk ka strategji të shpejtë për integrimin e vendeve të Ballkanit.

“BE po lë vakum në Ballkan duke mos patur strategji të zgjerimit për të përshpejtuar integrimin e 6 vendeve të Ballkanit. Me ardhjen e Biden ka shpresë për rikthim të SHBA në Ballkan dhe që do të kenë fuqi për ta ndalur turin e Serbisë e Rusisë në Ballkan. Shqipëria dhe Kosova nuk mund t’i përballojnë këto presione”.

Duke e konsideruar, Ramën fatkeqësi të shqiptarëve, Tahiri thekson se duhet një konsultë gjithë shqiptare për të mos lejuar gabimet që po bën Shqipëria zyrtare në këto kohë, në lidhje me këtë nismë.

“Fatkeqësia jonë është vetë kryeministri i Shqipërisë, nuk është i ndërgjegjshëm që po kontribuon për krijimin e Serbisë së madhe. E provuan këta në 2018- 2019 për krijimin e Serbisë së madhe nga Kosova me idenë e shkëmbimit të territoreve, tani Serbia doli në Bosnje dhe tani është alarm për ndërkombëtarët, por edhe ne shqiptarët duhet të kemi konsultë gjithë shqiptare për konsulta strategjike dhe mos lejojmë gabimet që po bën Shqipëria zyrtare në këto kohë”.

Exit mobile version